Memli Krasniqi, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), ka vizituar varrin e idealistit shqiptar, Adem Demaçit në rastin e katër vjetorit të vdekjes së tij.

Për Demaçin, Krasniqi ka thënë se i ka gjashtë virtyte që e bëjnë atë karakter të fortë, duke e cituar autorin Booker T. Washington i cili një karakter të fortë e kishte përshkruar me gjashtë tipare 1. Mençuri e dituri, 2) guxim 3) njerëzi 4) drejtësi 5) qëndrueshmëri 6) transparencë.

“Nëse flasim për virtytin e parë, mençurinë dhe diturinë, Adem Demaçi, i cili u botua kur ishte vetëm 22 vjeç, qysh herët e përdori atë për t’u pozicionuar përjetësisht në një kauzë, e cila, përtej gjithçkaje, ishte artikulimi më i lartë i mendimit e vizionit – Lirinë e popullit të tij”, ka shkruar ndër tjerash Krasniqi, duke e përfolur secalin tipar veç e veç atribuar Demaçit.

“Këto gjashtë virtyte që përbëjnë karakterin optimal të një njeriu të jashtëzakonshëm, me të drejtë dhe meritë ngrisin Bacën Adem në piedestalin e një figure shembullore, që përmes shembullit e jo urdhërave, punës e jo fjalëve, sakrificës e jo ikjes, qëndresës e asnjëherë dorëzimit, guximit e kurrë frikës, të cilin do ta përkujtojmë përjetësisht me nderimet më të larta shpirtërore e njerëzore”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.