Qeveria e Kosovës ka ndarë 10 milionë euro për skemën “Qeveria për familjet”, me të cilën synon që çdo familje të ketë së paku një të punësuar.

Vendimi është marrë në mbledhjen elektronike të Qeverisë.

“Ka marrë miratimin e kabinetit qeveritar edhe vendimi për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit të Qeverisë Nr. 13/19 të datës 14 korrik 2021 me ndryshimet dhe plotësimet e bëra, lidhur me Pakon e Ringjalljes Ekonomike. Plotësimi dhe ndryshimi i vendimit i shton Masës 1 të Pakos së Ringjalljes Ekonomike edhe masën 1.8 – Skema “Qeveria për familjet”- për të cilën ndahen 10 milionë euro”, njoftoi Zyra e Kryeministrit.

Me këtë pako për gjashtë muaj, Qeveria e Kosovës do t’i subvencionojë bizneset deri në 70% të pagës për çdo të punësuar që vjen nga familjet që s’kanë asnjë të punësuar.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, në prezantim të kësaj skeme ditë në parë, ka thënë se bizneset që janë të interesuar të punësojnë mbajtës të familjes dhe të mbështesin me 70% të pagës bruto, duhet të lajmërohen në zyrat e Agjencisë së Punësimit të Republikës së Kosovës, të tregojnë për numrin e stafit dhe kualifikimet që u duhen.