Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, po vlerëson se takimi mes presidentes, Vjosa Osmani e kryeministrit, Albin Kurti, me sekretarin amerikan të Shtetit, Anthony Blinken, është vardisje e tyre karshi Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Për më tepër, ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, lidhur me këtë zhvillim e ka përdorur shprehjen ‘Amelika, Amelika’, frazë kjo e dikurshme e Kurtit, referuar qasjes së tij ndaj ShBA-ve.

”S’ka nevojë për formula vardisëse se sa ata e duan Amerikën (Amelika, Amelika) sepse botërisht dihet”, tha ai për Klan Kosova.

Sipas tij, në fakt, takimi me Blinken, nuk është lajm në këtë rast, por mungesa e tij e deritanishme,.

‘Takimi me Anthony Blinken nuk është lajm. Ai është një akt shumë normal me vendin që na ka bërë shtet. Lajm do të ishte të tregojnë z. Kurti dhd znj. Osmani pse është dashur një vit e gjysmë për këtë takim”, tha ai, duke shtuar se, ata do të duhej të tregonin edhe se çfarë porosije morën nga sekretari.

Ndërkaq sa i përket arsyes së vizitës, ish-shefi i qeverisë, thotë se marrëveshja që do nënshkruhet sot me Korporatat e Sfidave të Mileniumit, është pikërisht nën autoritetin e Sekretarit Shtetëror, andaj edhe takimi me të është në këtë frymë.

Ai thotë se një marrëveshje e tillë, e para, ishte nënshkruar në shtator të 2017-ës, në Kongres, siç pritet të nënshkruhet edhe kjo e sotmja.