Situata e tensionuar në kufirin Kosovë-Serbi, përveçse reagimeve nga brenda Kosovës – si nga përfaqësues vendorë po ashtu edhe nga ata ndërkombëtarë – ka nxitur reagime edhe nga vende të ndryshme evropiane – dhe jo vetëm.
Shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell ka mirëpritur vendimin e Qeverisë së Kosovës për shtyrjen e reciprocitetit ndaj targave dhe letërnjoftimeve të lëshuara nga Serbia deri më 1 shtator dhe ka thënë se pret që bllokadat e vendosura nga serbët në veri të largohen menjëherë.
Ndërsa përfaqësuesi special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka përshëndetur vendimin e Qeverisë së Kosovës, për ta shtyrë deri me 1 shtator, implementimin e vendimeve për targa dhe letërnjoftime.
Dhe përveç këtyre, lidhur me këto zhvillime, ndër reagimet e shumta është edhe ai i kryediplomatit turk, Mevlut Çavushoglu, përcjell Telegrafi.
Përmes një postimi në Twitter, Çavushoglu ka thënë se pas situatës së krijuar në veri të Kosovës, ka biseduar me homologët e tij, atë nga Kosova dhe atë nga Serbia.
Spoke with my #Serbian & #Kosovar counterparts regarding the recent tension.
Peace and stability in the Balkans have always been a priority for Türkiye.
New tensions will not help anyone.
Türkiye is ready to do whatever is necessary to reduce the tension.
— Mevlüt Çavuşoğlu (@MevlutCavusoglu) July 31, 2022
“Fola me homologët e mi serbë dhe kosovarë në lidhje me tensionin e fundit. Paqja dhe stabiliteti në Ballkan kanë qenë gjithmonë një prioritet për Turqinë. Tensionet e reja nuk do të ndihmojnë askënd. Turqia është e gatshme të bëjë gjithçka që është e nevojshme për të ulur tensionet”, ka shkruar Çavushoglu.
Përveç tij, një reagim ka ardhur edhe nga ministri i Punëve të Jashtme të Letonisë, Edgars Rinkevics.
“Duke ndjekur nga afër ngjarjet në veriun e Kosovës. Të gjithë, veçanërisht në Serbi, duhet të jenë gjakftohtë dhe duhet të shmangin retorikën dhe veprimet nxitëse”, ka shkruar Rinkevics në Twitter.
Closely following events in the Northern #Kosovo, everyone, especially in #Serbia, should keep cool head and should avoid inflammatory rhetoric and actions
— Edgars Rinkēvičs (@edgarsrinkevics) July 31, 2022
Ndërsa ish-ministri i Punëve të Jashtme i Suedisë, Carl Bildt, ka bërë dy reagime.
“Një tjetër krizë në kufirin Kosovë-Serbi… Askush nuk duhet të ketë interes që situata të dalë jashtë kontrollit…”, ka shkruar ai në kohën kur në veri gjendja ishte e tensionuar.
Gjithashtu Bildt ka bërë edhe një reagim tjetër menjëherë pasi Qeveria e Kosovës ka njoftuar se vendimi për shtyrjen e vendimit për reciprocitet deri më 1 shtator 2022.
At least a pause in the 🇽🇰🇷🇸 potential crisis. Time to restart attempts to defuse the situation. Saner souls prevailed for the time being. https://t.co/S4BR8QYoYL
— Carl Bildt (@carlbildt) July 31, 2022
“Të paktën një pauzë në krizën e mundshme (në kufirin) Kosovë-Serbi. Koha për të rifilluar përpjekjet për të qetësuar situatën”.
Ndryshe, siç ishte raportuar të dielën, në veri të Kosovës, përveç barrikadave pati edhe të shtëna me armë zjarri të cilat u konfirmuan edhe nga Policia e Kosovës – e disa qytetarë edhe u maltretuan në kufi.
Në disa vende policia kishte bërë të ditur se është shtënë edhe ndaj njësiteve policore, por që nuk ka asnjë të lënduar.
Këto zhvillime erdhën ndërsa Qeveria e Kosovës kishte paralajmëruar se që nga sot (1 gusht 2022), do të niste zbatimi i reciprocitetit me Serbinë për targat dhe letërnjoftimet.
Dhe një ditë para se ky vendim të hynte në fuqi, serbët lokalë në veri të vendit filluan kundërshtimet e tyre duke vendosur barrikada në rrugët që çojnë në dy pikë kalimet kufitare me Serbinë – Jarinje dhe Bërnjak. /Telegrafi/