Ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL-UÇK-së, Faton Klinaku, ka thënë se propozimi i kryeministrit Albin Kurti, që të fillohet një hartim i një ligji të ri i cili nis një proces të vlerësimit dhe verifikimit të gjithë pjesëmarrësve në luftën çlirimtare, është ndërhyrje në procesin gjyqësor.
“Prokuroria i ka marrë të gjitha aplikacionet apo dosjet e kategorive të dala nga lufta e UÇK-së dhe për shkak të kësaj Zyra në Qeveri për çështje të kategorive të dala nga lufta nuk lëshon as për invidin një vërtetim duke i lënë me qindra veteranë, invalidë e familje të dëshmorëve pa beneficione që ju takojnë me ligj. Si mundet tash që kolektivisht për të gjithë pjesëmarrësit e luftës çlirimtare të bëhet verifikimi”, thuhet në letrën që Klinaku ia ka drejtuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
Ai ka thënë se ligji i ri mund të bëhet, porse duhet së pari plotësuar disa kushte.
“Duhet që aplikacionet apo dosjet e kategorive të luftës së UÇK-së të merren nga Prokuroria, sepse aty janë të dhënat e plota për secilin dhe vetëm në bazë të tyre bëhet kjo; Duhet që në gjykata të shpallet procesi i vlerësimit dhe verifikimit i pavlefshëm ose të kthehet në pikën zero; Duhet të krijohet një komision i ri qeveritar, i cili me komandantët apo zinxhirin komandues të UÇK-së, si dhe përgjegjësitë e të gjitha njësive do të bënte këtë vlerësim dhe verifikim, por pse jo edhe nëse është e nevojshme të bëhet procesi i ri i aplikimit”, ka shkruar Klinaku.
Ai ka thënë se si alternativë po thuhet se do të zbatohet ligji në fuqi, porse nuk është i zbatueshëm.
“Në fuqi është vetëm ligji që përcakton beneficionin e veteranëve jo më pak se paga minimale, që ju po tentoni ta ndryshoni e ne po protestojmë kundër saj. Ka mbi pesë vjet që kategorizimi nuk ka filluar, dhe meqë ai nuk mund të bëhet as tani pa aplikacione apo dosje të cilat i ka prokuroria, dhe kjo gjë konsiderojmë se përbën ndërhyrje në procesin gjyqësor”, ka shkruar Klinaku.