Komunarët e tri komunave të rajonit të Prishtinës (Podujevë, Obiliq e Graçanicë) kanë arkëtuar të hyra vetjake ndryshe nga njëra-tjetra. Bazuar në raportet financiare, Komuna e Graçanicës dhe ajo e Obiliqit qëndrojnë më mirë sa u përket të hyrave për periudhën janar-qershor.

Ndërsa, Komuna e Fushë-Kosovës nuk e ka publikuar fare raportin financiar për këtë periudhë e as atë të tremujorit të parë të këtij viti.
Zyrtarët komunalë të Podujevës për këta gjashtë muaj kanë realizuar 565 mijë e 821 euro, nga 1 milion e 597 mijë e 592 euro sa kanë planifikuar për tërë vitin.

Kthyer në përqindje janë rreth 35 për qind e planifikimit. Për opozitën kjo përqindje e arkëtimit të të hyrave për këtë periudhë është shqetësuese, shkruan sot Koha Ditore.

Komunarët e Obiliqit kanë arritur që për këta gjashtë muaj të këtij viti të tejkalojnë shumën e planifikuar të të hyrave vetjake për tërë vitin. Nga 77 mijë, sa kishin planifikuar të arkëtojnë për vitin 2015, ata kanë realizuar diku 817 mijë euro.

Por, zyrtarët opozitarë thonë se këtë performancë të Komunës së Obiliqit e ka ndihmuar eksproprijimi nga autostrada, që ka kaluar nëpër territorin e kësaj komune.

Realizim të mirë për këta gjashtë muaj të këtij viti ka treguar edhe Komuna e Graçanicës. Në gjashtëmujorin e parë, sipas raportit financiar, janë realizuar të ardhura vetjake në shumën prej 893,668.82 euro, ose 59.53 për qind e të ardhurave vetjake më shumë se sa janë planifikuar për vitin 2015./Koha