Në veturat e policisë së Kosovës tashmë do të jetë edhe një pajisje e re teknologjike e cila do t’iu shërbejë forcave të rendit që të detektojnë kundërvajtësit e mundshëm në trafik.

E se si do të funksionojë kjo pajisje, ka treguar për Klan Kosovën, drejtori i Divizionit të Trafikut Rrugor në polici, nënkolonel Jeton Rexhepi.

“Policia e Kosovës në vazhdën e modernizmin të pajisjeve për kontroll të trafikut, tani ka në funksion pajisjen inteligjente e cila mundëson identifikimin e shpejtësisë në lëvizje, po ashtu edhe në statik, në të dyja drejtimet, në atë të shkuarjes, por edhe në mjetet të cilat vijnë nga kahu i kundër i lëvizjes. Kjo pajisje mundëson identifikimin e shpejtësisë, ditën dhe natën, pra 24 orë”, tha nënkolonel Rexhepi.

Ndërsa drejtori i përgjithshëm i policisë së Republikës së Kosovës, Samedin Mehmeti, tha se kjo pajisje po ashtu ka opsionin “face recognition” e cila mundëson identifikimin e personave në makinat të cilët janë në kërkim.