Mungesa e investimeve kapitale, lënia pa nevojë e më shumë se 200 milionë eurove në llogarinë bankare të Qeverisë, janë disa nga kritikat që i përmend ish-kryeministri Avdullah Hoti për Qeverinë e Kosovës, të udhëhequr nga Albin Kurti.
Hoti ka deklaruar se rënia e drastike e investimeve kapitale ka dëmtuar rëndë ekonominë vendëse, dhe si e tillë janë shpenzuar vetëm 79 milionë euro nga 728 milionë euro gjithsej sa janë të parapara në buxhet.
Teksa i ka numëruar dëmet, që sipas tij, janë bërë në ekonominë kosovare, Hoti thotë se nuk ka asnjë projekt që është dashur të fillojë nga kjo Qeveri.
“Rënia e investimeve kapitale është më i ulëti në shumë vite. Edhe në kohën e pandemisë kur kemi qenë të mbyllur të vitit 2020 dhe në pjesën e parë të vitit 2021, ka pasur më shumë investime kapitale sesa që kemi pa tash këto gjashtë muajve. Raporti tregon se afro 11 për qind janë shpenzimet kapitale, që në total janë 79 milionë prej 728 milionë sa janë të parapara në buxhet. Efekti i këtyre ndihet në ekonomi sepse në bazë të trendit normal në ekonomi mungojnë gati edhe 150-200 milionë euro shtesë që është dashur të qarkullonin në ekonomi, dhe sigurisht pasojat i dimë edhe në të ardhura dhe në qarkullim të ndërmarrjeve e në aktivitetet e përgjithshme ekonomike në vend”, ka thënë Hoti.
Projekte madhore, thotë Hoti, nuk ka në këtë Qeveri, madje as për ato projekte me të cilat ka garuar në zgjedhje, siç janë banimi social e ndërtimi i një numri të madh të çerdheve.
“Kjo është shqetësuese se në listën e investimeve kapitale nëpër ministritë e ndryshme një pjesë e madhe e projekteve janë në vazhdim, që i bie se kanë qenë kontrata të nënshkruara dhe është dashur që nga janari apo shkurti të fillohej me këto investime kapitale. Investimet madhore nuk ka në këtë, në këtë Qeveri nuk ka asnjë projekt madhor që ka filluar deri më tani, bile as ato dy projektet madhore që këta i kanë përmendur që ka qenë pjesë e fushatës tyre elektorale dhe programit qeverisës, që është banimi social dhe ndërtimi i disa çerdheve. Asnjëra nuk ka filluar. Madje as këto projektet kryesore në vend, siç është rruga Prishtinë-Podujevë, rruga Prishtinë-Mitrovicë e rruga Dollc-Gjakovë, etj.”, ka thënë ai.
Duke folur për mjetet që vazhdojnë të qëndrojnë në llogarinë bankare, deputeti i LDK-së thotë se për dy muaj “s’ka qenë e nevojshme mbledhja e tatimeve”.
Ish-shefi i Qeverisë tutje shprehet se duke i pasur në llogari bankare mbi 200 milionë euro të pashfrytëzuara, heqja e akcizës së naftës nuk do të kishte problem për buxhetin e shtetit.
“Pa asnjë dyshim. Fatkeqësisht koston e çmimit të lartë të naftës, qytetarët e kanë paguar pa asnjë nevojë dhe fakti që në llogarinë bankare të Qeverisë janë 600 milionë euro, tregon që nuk ka pasur asnjë problem në buxhetin e shtetit sikur të pezullohej akciza në naftë për një periudhë të caktuar ose të ulej TVSH-ja për produktet bazike”, u shpreh Hoti. /EO