Trajneri i Llapit, Tahir Batatina, është ankuar për orarin në Albi Mall Superliga e Kosovës, duke pretenduar se kundërshtari i sotëm, Prishtina, po favorizohet, shkruan Llapi.info.
Batatina tha se humbja ndaj ekipit nga kryeqyteti, sipas tij, erdhi si rezultat i lodhjes së skuadrës nga Podujeva.
“Nëse vazhdojmë kështu, do të krijohet një rrëmujë në kampionat. Ose të shtyhet komplet xhiroja ose të luajmë të gjitha ekipet, përveç Ballkanit. Jemi dakord që Ballkani të pushoj kur ka ndeshje në Evropë, por jo edhe klubet tjera. Prishtina nuk është që ka luajtur në ‘Santiago Bernabeu’. Ka luajtur në Ulpianë, Malishevë e gjithandej. Është hera e fundit që Llapi luan ndaj një kundërshtari që pushon një javë, ndërsa ne luajmë pas dy ditësh. Prishtina pushoi ndërsa ne luajtëm pas dy ditësh dhe ndikoi lodhja. Pjesa e parë na takoi neve, ndërsa pjesa e dytë ishte e jona. Shënoi Trimëror Selimi dhe më gëzoi shumë si trajner. Futbolli luhet një sezon. Ka ndeshje tjera dhe do të luhen ndeshje edhe vitin tjetër. Neve na ka penalizuar lodhja ndaj Dukagjinit, prandaj do të shohim se do të luajë Prishtina me Dritën në mesjavë ndeshjen e mbetur. Disa skuadra pushojnë dhe disa po luajnë çdo të dytën ditë”, ka thënë Batatina.
Llapi në katër ndeshjet e para ka një fitore, dy barazime dhe një humbje, derisa radhitet në pozitën e tretë me pesë pikë të tubuara, kurse Prishtina ka shtatë sosh në vendin e dytë.
Në javën tjetër, Llapi i shkon Dritës në Gjilan, kurse Prishtina pret Ballkanin./Llapi.info