Skuadra e Llapit ka pësuar humbje në javën e pestë në Superligë, duke u mposhtur sot bindshëm 4-0 nga Drita, raporton Llapi.info.

Pas kësaj disfate të thellë, trajneri i Llapit, Tahir Batatina është ankuar në ndarjen e drejtësisë nga gjyqtarët e deleguar.

“Që nga fillimi dy penallti, asnjëra nuk ishte. Gjithçka vendosën referat në pjesën e parë dhe normalisht që është problem të kthehesh në lojë. Dritës i kishin mbetur disa pije pa i pirë nga Kupa e Kosovës, le t’i pinë sot, le të festojnë. Ne duhet të mendojmë për ndeshjet e radhës, ta bëjmë maksimumin. Futbolli luhet gjatë, ka shumë për t’u luajtur. Por, një derbi i tillë me këta arbitra, që kam shpresuar shumë në ta, dhe niveli si kanë referuar këta gjyqtarë sot, nuk e meritojnë të jenë pjesë e Superligës. Një arbitrim i tillë e prish derbin, janë të ri, por në ndeshje të tilla nuk kanë potencial”, ka thënë pas ndeshjes trajneri Batatina.

Pas pesë xhirosh, Llapi ka vetëm pesë pikë të tubuara dhe aktualisht radhitet në vendin e gjashtë, kurse Drita pozicionohet në pozitën e dytë me tetë pikë./Llapi.info