Prokuroria Themelore e Prishtinës ka nisur hetimet ndaj ambasadorit të Kosovës në Kroaci Martin Berishaj.

Lajmin për Klankosova.tv e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Prishtinës Laureta Ulaj.

“Ju njoftojmë se rasti për të cilin keni parashtruar pyetje është duke u hetuar nga Prokurori i Shtetit” – tha Ulaj.

Ajo tha se tashmë ka edhe një aktvendim për këtë.

Muaj më parë u tha se Agjencia Kundër Korrupsion do të niste verifikimin e pasurisë së Berishajt.

Këtë e kishte konfirmuar për Klankosova.tv drejtori i AKK-së Yll Buleshkaj.

Ndryshe, mediumi slloven, Planet TV, raportoi se Berisha dyshohet që i ka transferuar rreth 600 mijë euro kesh nga xhirollogaria e tij bankare në Mal të Zi për te politikani slloven, Golob.

TV Planet publikoi dokumente që pretendonin se është bërë një bartje e parave nga filiala e kompanisë energjetike GEN-i në Beograd në kompaninë “MB Consulting” që është në pronësi të ambasadorit të Kosovës, Martin Berishaj, të cilat më pas ky i fundit i ka tërhequr dhe ia ka dërguar politikanit opozitar slloven, Robert Golob.

Teksa këto akuza i ka mohuar ambasadori Berishaj.

Derisa presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kërkuar nga Ministria e Jashtme që ambasadorit Martin Berishaj t’i kërkohet raport me shkrim lidhur me artikullin në një medie në Slloveni.

Kujtojmë, Berishaj është emëruar ambasador në Kroaci në vitin 2021.