Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu e ka komentuar largimin e deputetes, Doarsa Kica-Xhelili nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Guxo, teksa një veprim të tillë e ka konsideruar si tradhti ndaj qytetarëve.
Haxhiu ka thënë se sot gjatë ditës nuk ka pasur mundësi të merr info zyrtare për këtë lëvizje te deputetes Kica-Xhelili, por thotë se për një gjë të tillë “është njoftuar nga mediat”.
“Unë vazhdimisht kam thënë se kalimi në këtë mënyrë, sidomos pas një mbështetje të madhe popullore që kemi pasur me programin që kemi garuar. mendoj që goditja i jepet qytetarëve, sepse kësi soji besimi që ia kanë dhënë qytetarët konsiderohet i pavlerë për to. Pra s’paska pasur rëndësi që ka pasur mbështetje keq të madhe qytetare”, tha Haxhiu.
“Në 2021 kemi pasur mbështetje të madhe prej qytetarëve të Kosovës, veprime të tilla mendoj se janë tradhti ndaj qytetarëve. Prandaj edhe mendoj se nuk vlerësohen këto veprime nga qytetarët. Pra atë që mund ta bëjnë qytetarët është që në zgjedhjet e ardhshme ata do të ndëshkojnë. Kështu ka treguar historia jo shumë e largët e jona”, shtoi ajo në ATV.
Haxhiu megjithatë thotë se edhe nëse Doarsa Kica-Xhelili kalon në LDK, kjo e fundit ka deklaruar se do ta mbështesë vettingun, proces për të cilin deputetja Kica-Xhelili kishte shprehur publikisht rezerva.
Kur është pyetur për lëvizjen e deputetes Adelina Grainca nga PDK në LDK, Haxhiu thotë se situata me Kica-Xhelilin ndryshon./Telegrafi/