Emisari evropian Miroslav Lajçak i shoqëruar nga dy këshilltarët francez dhe gjerman Jenns Plettner dhe Emmanuel Beaune, ka folur shkurt para mediave pas takimit që patën me kryeministrin Albin Kurti.
Lajçak tha se kanë biseduar më shumë se dy orë me Kurtin rreth dialogut dhe lëvizjes përpara të procesit raporton Gazeta Express.
“Disktuam më shumë se dy orë me kryeministrin Albin Kurti rreth dialogut dhe si të sjellën dinamika të reja dhe të lëvizet përpara me procesin. Ishte një diskutim i thellë dhe i rëndësishëm”, tha ai.
Diplomati sllovak që është i ngarkuar për ndërmjetësimin mes Prishtinës dhe Beogradit tha se e kanë kryer pjesën e parë të misionit në Prishtinë.
“S’mund të flas më shumë detaje sepse pasdite do të kemi takimin me presidentin Vuçiq, pra ne kemi përfunduar pjesën e parë të misionit në Prishtinë”, tha ai.