Gazeta Sinjali raportoi pak më parë për plagosjen e një personi në Lutogllavë të Pejës, për motive ende të panjohura nga miku i tij, tashmë i ndaluar. Viktima është dërguar në spital për trajtimin e plagëve të marra nga arma e zjarrit, teksa i dyshuari ka vendosur që të dorëzohet në Polici. Sinjali ka mësuar detaje të reja nga rasti, të cilët i sjellë më poshtë.

Gjithçka dyshohet se ndodhi, në orët e mbrëmjes, në rrugën Shpati, të fshatit Lutogllavë, ku i dyshuari Xh.B., e kishte dërguar mikun e tij, për t’i qëruar hesapet. Aty, pas një konflikti verbal, personi i dyshuar kishte nxjerrë armën, duke gjuajtur në drejtim të tij, për të ikur më pas nga vendi i ngjarjes.

Posa Policia ka marrë informacionin për personin e plagosur, njësitet policore bashkë me autoambulancën, kanë dalë në vendin e ngjarjes, prej ku viktima është dërguar në Spitalin e Pejës. Por, për shkak të gjendjes shëndetësore, të njëjtin e kanë transferuar në QKUK, thonë burimet nga Emergjenca.

Në anën tjetër, edhe i dyshuari është në duart e Policisë, pas një bastisje në shtëpinë e tij në këtë fshat, ku është gjetur arma e përdorur në këtë rast. Ndonëse tentoi t’iu ikë prangave, ai vendosi të dorëzohej, me ç’rast ka dhënë deklaratë mbi motivet që e kanë shtyrë ta plagos viktimën.

Burimet thonë se pas intervistimit, Prokurori i Shtetit Ka nxjerrë aktvendim për ndalim prej 48 orësh, për veprën penale “Vrasje e rëndë në tentativë”.