Në një seancë solemne, sot është i ndarë titulli Qytetar Nderi i komunës së Podujevës, humanistit Halil Kastrati, njofton Llapi.info.
Me këtë rast, në një postim në Facebook, kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka thënë se Kastrati me shoqatën e tij, deri më tani në Podujevë ka ndërtuar 80 shtëpi të reja për familjet nevojtare.
Postimi i plotë:
Sot kemi mbajtur seancën solemne për t’i ndarë titullin QYTETAR NDERI i Komunës së Podujevës, z. Halil Kastrati, i cili i ka ndihmuar dhe po ndihmon përmes shoqatës “Jetimat e Ballkanit” shumë familje në Komunën e Podujevës.
Nga shoqata bëmirëse “Jetimat e Ballkanit” në Podujevë janë ndërtuar 80 shtëpi të reja për familjet skamnore, ku 48 prej tyre janë në bashkëfinancim me Komunën e Podujevës, ndërsa pjesa tjetër me vet-iniciativë të shoqatës, janë shpërndarë mbi 2500 pako me produkte ushqimore e higjienike, 10 persona janë ndihmuar për shërim jashtë shtetit, e janë ndarë dhjetëra bursa për fëmijë jetim dhe studentë me gjendje të rëndë ekonomike.
Komuna e Podujevës është shumë falënderuese ndaj hoxhës dhe shoqatës së tij për bashkëpunimin e shkëlqyeshëm që e kemi pasur në vazhdimësi.