Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës dhe deputeti i LDK-së, Kujtim Shala ka thënë se kryetari i SBASHK-ut dhe njëkohësisht prijësi i Këshillit Grevist, Rrahman Jasharaj është një prej njerëzve më të ndershëm që ka njohur ndonjëherë.
Shala, duke folur në Pressing, ka thënë se ka 30 vjet që e njeh Jasharajn, që nga koha kur ai ishte nxënës në Pejë. Bindjen e tij për Jasharajn ka thënë se e ka përkundër se ai, si ndjekës i politikave të djathta, nuk e pëlqen konceptin sindikalist.
“Kam 30 vjet njohje personale, qysh kur kam qenë nxënës në Pejë. S’më duhen portretizime të askujt, po ashtu kam pasur një përvojë me të si anëtar i qeverisë, jo të lehtë. I tillë është sindikalizmi edhe pse s’e pëlqej sindikalizmin. Është një prej njerëzve më të ndershëm që kam njohur ndonjëherë dhe s’ka asnjë interes personal në këtë çështje dhe e di që s’ka pasur as kur ka ardhur në zyrën time me kërkesa si këto”, është shprehur Shala.
Sipas Shalës, për qeverinë e majtë të Kurtit dialogu me sindikatat do të duhej të ishte gjë elementare.
“Për qeverinë Kurti, dialogu me sindikatat do të duhej të ishte elementare, e zakonshme. Në thelb, besoj, këta e njohin e pranojnë dhe e pëlqejnë konceptin e sindikalizmit”, ka deklaruar ai.Shala ka vënë në theks që sindikatat nuk mund të trajtohen si parti politike dhe se partner i tyre kudo në botë, janë qeveritë.
“Sindikatat nuk kanë lidhje me partitë politike, nuk janë organizime politike. Po të ishin, do të garonin si ne, pastaj do të ishim rivalë. Sindikatat si kudo në botë, kanë partner social qeverinë”, ka thënë Shala.
Sot, Këshilli Grevist i kryesuar nga Rahman Jasharaj ka pasur një takim dyorësh me kryeministrin Kurti, mirëpo marrëveshja për ndërprerjen e grevës që ka hyrë në javën e tretë, nuk është arritur as sot.
Pas takimit, Kurti ka hedhur akuza të rënda ndaj kryesindikalistëve, duke i quajtur shantazhues dhe duke hedhur dyshimet e tij mbi motivacionin e tyre për të grevuar.