Nuk është vetëm Fatmir Humolli. Publikisht kundër qëndrimeve të qeverisë dhe shefit të saj, Albin Kurtit, ka dal edhe një deputet tjetër i Lëvizjes Vetëvendosje. Eman Rrahmani është shprehur se një pjesë të fajit për grevën që po vazhdon në arsim e ka ekzekutivi.
Në një paraqitje publike në Transmetuesin Publik të enjten, Rrahmani është shprehur në kundërshtim me linjën e qeverisë dhe partisë së tij pothuajse në secilin prej temave.
Për grevën dhe SBASHK-un, ai ka përdorur një diskurs krejt të ndryshëm me atë të qeverisë. Ka thënë se të dyja palët janë përgjegjëse për mosfillimin e procesit mësimor.
Madje, deputeti nga Prishtina ka vlerësuar se SBASHK-u është organizatë legjitime, me udhëheqës të zgjedhur në mënyrë demokratike nga anëtarësia. Një vlerësim ky krejt i kundërt me atë të kryeministrit Albin Kurti, i cili i ka theksuar disa herë pretendimet e tij se greva dhe SBASHK-u janë kthyer “në një armë kundër tij”.
Por, deputeti Rrahmani i ka quajtur të arsyeshme kërkesat e grevistëve, derisa ka thënë se nuk pajtohet vetëm me mënyrën e protestës.
“Qeveria duhet mu angazhua ma shumë për me e zgjidh këtë problem, ne arsyeshmërinë e kërkesave dhe me vazhdua me pas komunikim, mirëpo kjo duhet të jetë prej të dyja palëve, është përgjegjësi e qeverisë dhe e sindikatës. Përgjegjës për mos fillimin e mësimit jemi të gjithë, po flas edhe si deputet edhe si qeveri. Në asnjë mënyrë nuk guxojmë te pengojmë procesin e mësimit, kërkesat e sindikatës janë të drejta dhe duhet të mbështeten prej neve”, tha Rrahmani të enjten në RTK.
Rrahmani, tutje ka thënë se ka rrugëdalje nga kjo situatë, por vetëm se duhet angazhim i të gjithëve palëve.
“Ka dalje nga kjo situatë, duke marr parasysh gjendjen në të cilën jemi dhe dëmi që po bëhet në arsim mendoj që mësimi duhet të filloj sa më parë qysh nesër, mirëpo unë personalisht unë mirëkuptoj edhe kërkesat e grevistëve por nuk pajtohem me mënyrën e protestës së grevistëve”, ka vlerësuar ai.
Ai nuk e ka mbështetur gjuhën e rëndë të përdorur nga kolegu i tij në Grupin Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, në një debat të zhvilluar të mërkurën me kryetarin e SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj.
“Nuk komentoj veprime të tilla, dhe nuk është në natyrën time. Nuk mendoj që është një veprim i duhur për një deputet”, tha Rrahmani. “Ka shumë çështje që unë nuk pajtohem me shumë deputetë më të cilët jemi në subjektin e njëjtë”.
Eman Rrahmani është njëri nga 14 deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje të cilën kundërshtuar Projekt-Kodin Civil, i cili lejon martesat e gjinisë së njëjtë, të mbështetur nga Qeveria e Kosovës.
Që nga muaji mars, është raportuar për një përçarje brenda Grupit Parlamentar të LVV-së mes grupit të deputetëve që kundërshtuar Projekt-Kodin Civil dhe atyre që mbështetën këtë iniciativë ligjore të qeverisë.
Greva e përgjithshme e sektorit publik në Kosovë ka nisur më 25 gusht. Punonjësit po kërkojnë ndër të tjerë, 100 euro shtesë në pagë deri në realizimin e Ligjit të Pagave.
Gjatë ditës së premte është mbajtur një takim i Këshillit Ekonomik-Social, mirëpo pa ndonjë zgjidhje.
Një takim është zhvilluar edhe të premten ndërmjet ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci dhe përfaqësuesve të SBASHK-ut, por nuk është arritur ende marrëveshje për ndërprerjen e grevës.