Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava i ka bërë thirrje SBASHK-ut që të ndërpresë grevën në arsim dhe nxënësit, qysh nesër të kthehen në bankat shkollore, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Tërnava ka thënë se i mbështesin kërkesat e mësimdhënësve, por ka bërë thirrje që për hir të misionit të tyre në favor të edukimit të brezave, të tërhiqen nga greva dhe të drejtat e tyre sindikale t’i kërkojnë përmes dialogut social.

Tërnava po ashtu i ka bërë thirrje Qeverisë dhe Kuvendit që sa më parë të miratojnë Ligjin për Paga.

“Profesioni I mësimdhënësit është në premisat e misionit të shenjtë. Këtë detyrë mësimdhënësit e kanë kryer gjithmonë me vetëdije të lartë. Ne mbështesim kërkesën e tyre për pagë të dinjitetshme. Thërras SBASHK-un për hir të misionit që bartin mbi vete, sot ta ndërpresin grevën, po ashtu edhe sindikatën e shërbyesve civilë. Të drejtat e tyre sindikale t’i kërkojnë përmes dialogut social. Apeloj te të dy udhëheqësit e sindikatave që në këto momente të tregohen të mençur dhe të urtë. Është koha për unitet veprues. Gjithashtu i bëj thirrje Qeverisë së Kosovës e Kuvendit që ta miratojë sa më parë Ligjin e Pagave dhe të merren parasysh kërkesat e grevistëve. Mbes me shpresë që nesër mësuesit t’i kemi në bankat shkollore”, tha ndër të tjera Tërnava në një konferencë për media. /Reporteri.net