Kryetari i LDK-së, Lumir Abixhiku, ka takuar sonte strukturat e kësaj partie në Podujevë dhe qytetarët llapjanë, ku ka deklaruar se partia që ai drejton, sipas tij, duhet të jetë afër qytetarëve, shkruan Llapi.info.

I pari i LDK-së, këtë vizitë e ka bërë së bashku me deputetin llapjan Besian Mustafa, deputeten Hykmete Bajrami dhe kryetarin e LDK-së në Podujevë, Ekrem Hyseni.

Para strukturave dhe qytetarëve llapjanë, Abidxhiku ka thënë se programi i ri i LDK-së ka nisur të përgatitet.

“Ky program është duke u përgatitur nga 29 ekipe në fusha të ndryshme, ku përfshihen të gjitha temat. Këto ngjarje si sot në Podujevë do të na ndihmojnë neve që të kuptojmë më mirë nevojat dhe të planifikojmë zgjidhje dhe projekte me program, e që këto do të jenë platforma fituese në zgjedhjet e ardhshme”, ka thënë ai.

Më tej, Abdixhiku ka hedhur në varg kritikash në drejtim të Qeverisë së Kosovës, pasi që sic ka thënë ai, e njëjta ka dështuar në të gjitha aspektet.

“Në vetëm 18 muaj, ata treguan të paaftësinë për të menaxhuar me vendin, e aq më pak për të përballuar krizën e rëndë. Kjo qeveria ka vetëm fjalë, asnjë veprim. Kurti po ikën nga problemet dhe largohet nga vendi në mes të një krize, pasi s’mund të zgjidhë atë. Ne jemi i vetmi vend që ka pasur ndërprerje të energjisë gjatë verës. Jemi i vetmi vend në Evropë që s’ka nisur procesi mësimor. Dështim masiv i kësaj qeverie”, ka thënë ai, pos tjerash./Llapi.info