Përderisa qytetarët e shumtë të Komunës së Podujevës po ankohen për gjendjen e rrugëve të caktuara nëpër qytet, në anën tjetër po vazhdon asfaltimi i rrugëve nëpër fshatëra.

Sot në fshatin Dobratin është asfaltuar rruga në Lagjen “Bajgora” në një gjatësi prej 1.2 km, punë e cila është kryer nga kompania “Vaakal”.

Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, ka përcjellur nga afër asfaltimin e kësaj rruge, me që rast ka thënë se asfaltimi i rrugëve vazhdon të jetë prioritet në ndërtimin e infrastrukturës rrugore në komunën e Podujevës.

“Tash kur janë asfaltuar të gjitha rrugët, që lidhin fshatrat me rrugën magjistrale dhe rrugët regjionale, investimet tona janë fokusuar në asfaltimin e rrugëve të lagjeve. Asfaltimi i kësaj rruge është në mesin e dhjetëra projekteve që po realizohen sivjet në lagjet e qytetit dhe të fshatrave të komunës sonë” ka thënë Veliu.

Banorët e kësaj lagjeje u shprehën mirënjohës për investimin e bërë, sepse rruga e asfaltuar ua lehtëson qarkullimin deri në rrugën kryesore të fshatit./Llapi.info