Skuadra nga Podujeva ka fituar sot në shtëpi ndaj Drenicës me rezultat të përgjithshëm 3-2 në xhiron e dhjetë, shkruan Llapi.info.

Golat për Llapin i shënuan Progni, Rivera dhe Selimi – kurse për mysafirët Gavazaj dhe Zeka.

Pas triumfit, trajneri i Llapit, Tahir Batatina, ka deklaruar se skuadra e tij do të jetë në top-katërshe.

“Ndryshimet në skuadër e duan kohën e vet. Kemi punuar që të kthehemi, të komponohemi. Kemi zhvilluar ndeshje të mirë, ndonëse kemi pasur disa gabime, sidomos në defanzivë. Më gëzon fakti që Festim Alidema shkëlqeu. Atij i është dashur kohë që të kthehet. Gradualisht skuadra po e merr formën e vet. Jemi afër katërshes së parë. Do të bëjmë maksimumin. Drenica luan futboll mirë jashtë, luan me pasime të shkurtra. Pasuam dy gola edhe për shkak të pakujdesisë. Llapi ka potencial. Në janar do të reagojmë në disa pozita dhe prapë do të jemi në katërshen e parë”, ka shtuar Batatina.

Më tej, Batatina ka thurur lavde për sulmuesin Gerard Progni, duke shtuar se pikërisht ky lojtar, sipas tij, do të jetë shtylla kryesore e Llapit.

Me këtë fitore Llapi ngritët në pozitën e pestë në tabelë me 12 pikë, duke lënë Drenicën një pozitë më poshtë me një pikë më pak.

Ndeshjen e ardhshme Llapi e zhvillon në udhëtim te Trepça ’89, derisa Drenica pret kampionin në fuqi Ballkanin./Llapi.info