Podujevë – Tre të akuzuarit E.Gj., A.M. dhe G.R., janë dënuar me nga 500 euro gjobë secili veç e veç, pasi nga Prokuroria akuzoheshin se në maj të këtij viti në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë, derisa zhvillohej ndeshja e barazhit në futboll në mes të KF. “Malisheva” dhe KF. “Vushtrria”, me dashje e kishin hequr dhe dëmtuar rrjetën e gollës.

Një vendim të tillë e ka marrë gjykatësi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, dega në Podujevë, Minir Hoti, më 27 korrik 2022, duke aprovuar kërkesën e Prokurorisë për dhënien e urdhërit ndëshkimor jashtë seancës gjyqësore, raporton “Betimi për Drejtësi”.

E dëmtuara në këtë rast, KF. “Llapi”, për realizimin e kërkesës pasurore-juridike është udhëzuar në kontest civil.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 12 korrik 2022, ka ngritur aktakuzë ndaj E.Gj., A.M. dhe G.R., me arsyetimin se ata më 28 maj të këtij viti në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë, derisa zhvillohej ndeshja e barazhit në futboll në mes të KF. “Malisheva” dhe KF. “Vushtrria”, të pakënaqur me rezultatin e lojës, në shenjë proteste dhe pakënaqësie, të njëjtit me dashje e kishin hequr dhe dëmtuar rrjetën e portës jugore të stadiumit në fjalë.

Me këtë, E.Gj., A.M. dhe G.R., akuzoheshin se secili veç e veç ka kryer veprën penale “Asgjësimi apo dëmtim i pasurisë” nga neni 321 paragrafi 1 të Kodit Penal, me gjobë ose burgim deri në një vjet. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.