Zgjedhjet parlamentare të vitit të kaluar, kanë reflektuar në ndryshimin e Ekzekutivit të Komunës së Podujevës.

Ish-nënkryetari i Komunës, Agim Kikaj, i cili kishte garuar për deputet në Kuvendin e Kosovës, kishte arritur të merrte votat e mjaftueshme për vende në Parlament. Pas disa muajsh, kryetari Agim Veliu, e kishte emëruar zëvendës të tij ish-drejtorin e Arsimit, Nexhmi Rudari. Ndërsa, në vend të këtij të fundit e ka emëruar Avni Malokun, i cili kishte qenë drejtor i SHF “Enver Maloku”, në Podujevë.

Pos këtyre ndryshimeve, drejtori i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Vezir Januzi, është emëruar zëvendësministër në të njëjtin dikaster në Qeverinë e Kosovës. Ndërsa, në vend të tij, është emëruar Avni Fetahu, i cili deri tashti e kishte udhëhequr Drejtorinë e Planifikimit dhe Zhvillimit Ekonomik.

Kjo drejtori deri tashti ka mbetur pa drejtor, ndërkohë që edhe Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ka më shumë se një vit që udhëhiqet nga ushtrues detyre. Këshilltarët opozitarë të Podujevës disa herë kanë ngritur shqetësimin për moskompletimin e Ekzekutivit komunal./koha