Nesër do të mbahet pjesa e parë e afatit te dytë të testit të maturës për të gjithë maturantë të cilët nuk e kanë arritur pikët e mjaftueshme për kalueshmëri në afat të parë.

Shefi i Arsimit në Podujevë Xhevat Llugaliu për llapi.info ka bërë të ditur se gjatë ditës së nesërme testit do t’i nënshtrohen gjithsej 575 maturantë llapjanë nga tri shkollat e mesme në Podujevë.

“Nesër me 29 gusht do t’i nënshtrohen pjesës së parë të testit të maturës për afat të dytë gjithsej 575, prej të cilëve 49 janë maturantë të Gjimnazit “Aleksandër Xhuvani”, 291 maturantë janë nga Shkolla e Mesme Ekonomike “Isa Boletini”, ndërsa nga Shkolla e Mesme Teknike janë 237 maturantë” ka thënë Llugaliu.

Më tej ai ka thënë se tashmë janë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për mbarëvajtjen e testit, poashtu maturantëve u është siguruar nga një laps dhe një shishe me ujë.

Maturantët testin do ta mbajnë në objektet e tri shkollave të mesme në Podujevë, ku edhe i kanë përfunduar mësimet.

Shefi i Arsimit në Podujevë, Xhevat Llugaliu ka shtuar se pjesa e dytë e testit do të mbahet me 5 shtator, ndërsa publikimi i rezultateve do të bëhet me 15 shtator.

“me 15 shtator do të publikohen rezultatet e testit, ndërsa ankesat do të pranohen nga 16 deri me 18 shtator, ndërsa rezultati i ankesave do të publikohet me 19 shtator” ka deklaruar Llugaliu./Llapi.info