Pas djegjes së Shkollës Fillore “Shefki Kuleta” në Fshatin Halabak, 85 nxënësit që ishin në këtë shkollë vitin shkollor 2015-2016 do ta fillojnë në shkollën amë në Fshatin Tërnavë.

Shefi i Zyrës së Informimit në Komunën e Podujevës, Nazmi Elezi, për llapi.info ka deklaruar se viti shkollor edhe për 85 nxënësit e kësaj shkolle do të fillojë me 1 shtator, ku këta nxënës do të mësojnë në shkollën amë, në Tërnavë, e cila është larg rreth një kilometër e gjysmë.

“Drejtoria e Arsimit gjatë këtyre ditëve do të marr vendim për këta nxënës, se a do të formohet ndonjë paralele e re apo do të sistemohen nëpër paralelet që tashmë janë në shkollën e Tërnavës” ka thënë Elezi.

Ai ka bërë të ditur se Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë për vitin e ardhshëm ka paraparë ndërtimin e objektit të ri për nxënësit e kësaj shkolle.

Elezi ka shtuar se edhe në bazë të raportit të Policisë thuhet se shkolla është djegur qëllimisht nga person i panjohur. Sipas tij, edhe Drejtori i Shkollës amë në fshatin Tërnavë kishte deklaruar se ka pasur tentime edhe dy herë tjera për djegjen e kësaj shkolle.

“Shkolla është djegur qëllimisht, sepse objekti nuk ka qenë i kyqur në rrjetin elektrik që disa ditë, poashtu as në afërsi të shkollës nuk ka pasur asgjë që mund ta ketë shkaktuar zjarrin” ka shtuar ai për llapi.info.

Llapi.info kishte raportuar për këtë shkollë e cila nuk i plotësonte as kushtet elementare për mësim, ku ajo ishte e ndërtuar nga materiali i ivericës që nga viti 1972./Llapi.info