Trajneri i Llapit, Tahir Batatina ka thënë se skuadra e tij nuk është dashur të humb të dielën nga Ferizaj.
Ai ka thënë se humbja me Ferizajn është më e dhimbshmja për llapjanët.
”Mendoj që djemtë janë kënaqur me ndeshjen e kaluar dhe kanë menduar që Ferizajn do ta mundin lehtë dhe kjo është arsyeja për humbjen e ndeshjes. E kemi pranuar një gol që nuk është dashur ta pësojmë. Kur është dashur ta barazojmë rezultatin bëmë gabim sërish në defanzivë dhe pranuam golin e dytë. Kur skuadra më pas mbrohet me 10 lojtarë në zonë është e vështirë të shënohet. Disa lojtarë ndoshta nuk e kanë dhënë maksimumin dhe nuk i kryen detyrat. Shënuam një gol që nuk ishte e mjaftuar. Kjo ndeshje na ka vënë në vështirësi dhe tani duhet të reagojmë në ndeshjen e ardhshme”, ka thënë Batatina.
“Sot nuk është dashur të humbet takimi. Nuk i shfrytëzuam rastet tona. Këto ngritje-ulje të skuadrës nuk janë të mira, por duhet ta gjejmë ku është defekti. Ka ende ndeshje, por kjo ishte ndeshja më e dhimbshme për Llapin”, ka shtuar tekniku llapjan.