527 ekzaminime të femrave llapjane kanë arritur të kryhen me mamograf mobil gjatë një muaji. Por, jo të gjitha të interesuarat kanë arritur të kontrollohen, pasiqe numri i tyre është shumë i madh, prandaj edhe zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësisë premtojnë se mamografi do të rikthehet në Podujevë.

Projekti i përbashkët i Ministrisë së Shëndetësisë (MSH) dhe Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Podujevë për ofrimin e shërbimeve të diagnostikimit falas të kancerit të gjirit me mamograf mobil për femrat llapjane mbi moshën 40 vjeçare, ka përfunduar sot.

Në përmbyllje të këtij programi në QKMF në Podujevë kanë qëndruar këshilltarët e ministrit të Shëndetësisë, Shefqet Sylejmani dhe Mirsad Kamerolli, si dhe Agim Begaj – koordinator nacional i mamografit mobil, të cilët u pritën nga drejtori i QKMF-së në Podujevë, Afrim Shabani.

Drejtori Shabani e vlerësoi të suksesshëm punën e mamografit mobil në Podujevë, për çka tregon edhe numri i femrave të cilat janë ekzaminuar.
Shabani kërkoi nga MSH që mamografi mobil pas një kohe të caktuar të rikthehet përsëri për ta ofruar këtë shërbim për të gjitha femrat, të cilat nuk kanë mundur ta kryejnë ekzaminimin.

Koordinatori nacional i mamografit Agim Begaj tha se mamografi do të rikthehet në Podujeve për shkak se është komunë me numër të madh të banorëve edhe numri i kërkesave për ekzaminim ishte i madh. Ai foli edhe për numrin e femrave të ekzaminuara gjatë këtij muaji.

“ Në komunën e Podujevës kemi ekzaminuar 527 femra, prej tyre 83 femra kanë rezultuar pozitive, ose sëmundje malinje, të cilat edhe janë udhëzuar për shërim të mëtutjeshëm. Po ashtu 31 paciente kanë rezultuar me diagnozë beninje, kurse 25 paciente me diagnozë të dyshuar”, ka thënë Begaj.

Delegacioni i MSH, së bashku me drejtorin Shabani, kanë vizituar Qendrën e Shëndetit Mental – njësia në Podujevë, për të parë nga afër gjendjen dhe kushtet në të cilat punon kjo qendër./Llapi.info