Kryeministri Albin Kurti tha se po dialogon me serbët lokalë. Dhjetë nga ta tha se i ka takuar të mërkurën.
Shefi i Qeverisë tha se serbët lokalë refuzojnë të bëjnë fotografi gjatë takimit, pasi tha se ai nuk mund t’i mbrojë nga pasojat, raporton Gazeta Express.
“Sa i përket dialogut me serbët lokalë, 10 serbë të Kosovës që udhëheqin organizata të ndryshme i kam takuar dje. Por duhet ta kuptoni një gjë: nuk duan fotografi prej takimit. Nuk duan fotografi prej takimit. Po ndodh dialogu me serbët lokalë, por unë ende nuk mund t’i mbroj ata. Mua më vjen shumë keq që gjashtë vetura të serbëve janë djegë e unë s’kam arritë me i mbrojtë. Më vjen shumë keq për këtë”, tha Kurti.
“Por edhe serbët kur të vijnë në takim me mua, ata nuk duan që të bëjnë fotografi. Një orë e gjysmë kemi diskutuar, por nuk duan të bëjnë fotografi, sepse ju hakmerren”, shtoi kryeministri.
Kurti përmendi rastin e dorëheqjes së një serbi të cilin në Qeverinë Kurti 1 e kishte emëruar këshilltar.
“Rasti më eklatant ka qenë i atij ish-këshilltarit tim në Kurti 1, që dha dorëheqje dy orë pas emërimit. Pra, duhet ta bëjmë dialogun, por duhet ta kuptojmë që nuk mund ta publikojmë të tillë si dialog”, tha Kurti.