Erion Kajtazi, futbollisti i ri i Trepçës ’89 dhe i Kosovës U17, ka vdekur të shtunën në fushën e lojës pas një arresti kardiak. Lajmi është konfirmuar nga Emergjenca e Spitalit të Prizrenit dhe Federata e Futbollit të Kosovës.

Kajtazi ishte duke luajtur në ndeshjen e juniorëve mes Trepçës ’89 dhe A&N, takim që u zhvillua në Korishë të Prizrenit, kur ka rënë në tokë pa vetëdije.

“Stafet mjekësore të të dyja klubeve kanë intervenuar me shpejtësi për t’i ofruar ndihmë dhe më pas me urgjencë e kanë dërguar në Spitalin Rajonal në Prizren. Megjithatë, përkundër përpjekjeve maksimale të mjekëve, Erioni nuk ka dhënë shenja jete dhe është konstatuar vdekja e tij nga ataku kardiak”, thuhet në njoftimin e FFK-së, e cila i ka shprehur ngushëllime familjes së të riut.