Jo shumë larg kohë më parë, para katër viteve, Edi Rama kishte tjera mendime për “nacionalizmin” në sport.

Ai i përdorte shqiponjat e bëra nga Granit Xhaka e Xherdan Shaqiri. Fotografive të tyre ua kishte vendosur mbishkrimin “Photo of the Day”.

“Foto e ditës” – kishte shkruar ai sipër fotografisë së Xhakës e Shaqirit duke bërë shqiponjën me duar.

Në ndeshjen e vitit 2018 ndaj Serbisë kishin realizuar gola të dy lojtarët shqiptarë.

Madje, Rama kishte shpërndarë edhe nismën “Mos kini frikë nga shqiponja!”, që ishte emri i llogarisë bankare ku gjithkush mund të japë një kontribut simbolik, për të paguar dënimin me gjobë që FIFA në atë kohë dha ndaj Granit Xhakës dhe Xherdan Shaqirit.

Por, atëkohë Rama nuk kishte ide për Ballkanin e Hapur. Ai nuk kritikohej për afërsi me Vuçiqin. Ishte tjetër kohë.

Katër vite më pas, Rama ka ndryshuar rrënjësisht.

Ai nuk shkroi asnjë fjalë për fitoren e Zvicrës. Zgjodhi të heshtte. I pyetur nga gazetarët se pse nuk reagoi, ai tha se nuk është kryeministër i Zvicrës por i Shqipërisë.

Duke thumbuar Kurtin, pasi ky i fundit shkroi se: “Serbia nuk kalon. Urime Zvicrës”, Rama tha se nëse do të reagonte do t’i frynte zjarrit të nacionalizmit serb.

“Nuk kuptoj realisht pse duhet të flisja, nuk jam kryeministër i Zvicër, jam kryeministër i Shqipërisë, do t’i fryja zjarrit të një nacionalizmi më falni për shprehjen qesharak. Por, nacionalizmi është gjithëmonë sa qesharak aq i rrezikshëm” – deklaroi Rama.