Federata e Futbollit të Serbisë është gjobitur nga FIFA të mërkurën për deklarata politike ballkanike në Kupën e Botës “Katari 2022”.

FIFA e gjobiti me 20 mijë franga zvicerane Serbinë për shkak të një flamuri politik për Kosovën që e kishte shfaqur në zhveshtore, përpara se të luante kundër Brazilit në ndeshjen hapëse të Grupit G.

Në fakt, serbët kishin shfaqur flamurin e tyre mbi hartën e Kosovës dhe me shkrimin “Nuk ka dorëzim”.

Ai flamur ishte shfaqur edhe në tribunat e stadiumit gjatë ndeshjes kundër Brazilit, të cilën e humbi Serbia 2:0. Federata e Futbollit të Kosovës u ankua zyrtarisht në FIFA për këtë veprim të Serbisë, e cila kishte varur flamurin mbi dollapët e dy lojtarëve të saj më 24 nëntor.