Qeveria e Shqipërisë ka nënshkruar marrëveshje me Turqinë për blerje të dronëve “Bayraktar”.

Rama njoftoi për lajmin derisa tha se kjo po bëhet në të mirë të sigurisë kombëtare dhe mbrojtjes së territorit, transmeton Gazeta Online Reporteri.net.

“Firmosja e marrëveshjes për blerjen e flotës së dronëve Bayraktar, teknologjia më e lartë e fluturimeve për misione ushtarake, policore dhe civile, në funksion të sigurisë kombëtare, të luftës kundër krimit e kultivimit të paligjshëm të hashashit, të emergjencave civile, mbrojtjes së territorit dhe mbledhjes së informacioneve gjeohapësinore”, njoftoi Rama në Facebook.

Në fjalën e tij në konferencën e nënshkrimit të marrëveshjes, Rama falënderoi Turqinë, përkatësisht edhe presidentin Erdogan.

Ai tregoi edhe për një histori personale që e lidh Ramën me shpikësit e vetë dronëve “Bayraktar”.

“Shumë të dashur miq nga Turqia. Do doja ta nisja duke thënë se unë kam qenë vetëm njëherë dëshmitar në dasmë në jetën time. Martesa ku kam qenë dëshmitar ka qenë martesa e shpikësit të Bayraktar. Shpresoj që si dëshmitar së paku nuk kam sjellë mungesë fati, shpresoj kam sjell fat. Dhëndri po i sjell ca fat ushtrisë sonë dhe vendit tonë.

Jam shumë i lumtur, por ndërkohë dua t’ia nis andej nga duhet nisur, për të falënderuar presidentin Erdogan, i cili ka qenë thelbësor në këtë proces. Kur vjen fjala për mjetet pa pilotë, nuk ka të bëjë vetëm me të pasurit e parave, por ka të bëjë dhe me faktin që të jesh i aftë që të kalosh radhë e të shtysh në radhë, sepse radha është shumë e gjatë sepse nga ana tjetër është fakti i të qenit në anën e duhur. Ne jemi krenarë që bashkë me Turqinë jemi në krahun e duhur, të rreshtuar në bashkësinë euroatlantike të NATO-s.

Sot është një ditë shumë e mirë për marrëdhënien tonë, për forcat e armatosura dhe ministritë tona të mbrojtjes”, tha kryeministri.

Ndërkaq, në fund të konferencës së firmosjes së marrëveshjes, përfaqësuesi i “Bayraktar Technology”, ia ofroi Kryeministrit Rama një nga tre dronët që bleu.