Në mediat serbe mbrëmë u shfaq një video me të cilën u raportua se në pjesën veriore të vendit ka pasur të shtëna. Ndonëse pamjet janë të turbullta (mund të jenë montazh), aty dëgjohen rafalet e armëve.
Të shtënat që u raportuan se kanë ndodhur rreth orës 19 e 45 më vonë i konfirmoi KFOR’i duke thënë se persona të panjohur kanë gjuajtur në afërsi të patrullave të tyre (ushtarë letonezë), por që fatmirishësht askush nuk është lënduar e as nuk janë dëmtuar automjetet. Është e cuditshme se kjo “video” u lansua edhe në një medium në Maqedoninë e Veriut që thuhet se është proruse.
Në mediat proqeveritare serbe u tha se të shtënat kanë nisur pasi “policia e Kosovës ka nisur të heq barikadat”. Por, kjo u demantua shpejt nga Policia e Kosovës e cila tha se nuk ka qenë e përfshirë në ndonjë shkëmbim zjarri.
KFOR’I sot tha se është duke kryer hetimet për t’i gjetur autorët e panjohur të armatosur. Ndërkaq Këshilltari i presidentes, Blerim Vela akuzoi Serbinë se po tenton të nxis konflikte nëpërmjet strukturave të saj ilegale. Po ashtu akuzoi edhe mediat por qeveritare serbe për nxitje të konfliktit me anë të raportimeve të tyre.