Dhuna në familje vazhdon të mbetet një nga damkat më të mëdha të shoqërisë kosovare. Çdo ditë në Polici raportohen raste ku gratë dhunohen në forma të ndryshme nga personat të cilët i kanë zgjedhur të ndajnë jetën me ta, por edhe nga anëtarët tjerë të familjes.
Një 20-vjeçare e cila është e martuar në fshatin Barilevë të Prishtinës, ka përfunduar dje në spital si pasojë e lëndimeve që dyshohet se ia shkaktoi bashkëshorti i saj me anë të dhunës.
Sinjali mëson se e gjithë ngjarja dyshohet të ketë ndodhur në shtëpinë ku bashkëjetojnë çifti dhe pas një konflikti verbal, i dyshuari ka shpërthyer në sulm fizik duke e përplasur viktimën për shtrati e më pas të njëjtët e ka goditur me shqelma në trup.
Lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë marrë deklaratën e 20-vjeçares dhe ajo mësohet të ketë pohuar se nuk e ka denoncuar rastin në organet e rendit për shkak se ishte e kërcënuar nga i shoqi.
I dyshuari është arritur që të arrestohet dhe më pas është shoqëruar në stacion ku është intervistuar nga hetuesit policorë.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.