I rrethuar me nxënës e qytetarë llapjanë sot është bërë përurimi i projektit për renovimin e oborrit të Shkollës së Mesme Ekonomike “Isa Boletini” në Podujevë.
Të pranishëm në përurimin e kësaj hapësire ishin Christof Stock, Shef për bashkëpunim i Zyrës së Bashkimit Europian në Kosovë, Ministri i Puëns dhe Mirëqeniës Sociale, Arban Abrashi dhe Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu.
Shef për bashkëpunim i Zyrës së Bashkimit Europian në Kosovë, Christof Stock, ka thënë se puna e kryer vërehet nëse bëjmë krahasimin e fotografive të pamjeve të shkollës se si kanë qenë dhe si janë bërë tani.
“Për neve është knaqësi që jemi këtu për inagurimin e kësaj hapsirë të bukur, i cili është investim për të ardhmen e rinisë. Por, ky projekt ka shërbyer edhe si program për punësim, ku janë krijuar gjithsej 49 vende të reja pune” ka deklaruar Stock.
Në fjalën e tij, Ministri i Punës dhe Mirëqeniës Sociale, Arban Abrashi, si përfaqësues i qeverisë ka shprehur knaqësi për realizimin e këtij projekti.
“Ky nuk do të jetë projekti i vetëm, realizimin e secilit do ta mbështesim në Podujevë. Podujeva ka shumë talenta, të cilët shpresojmë se do t’i shohim në këtë fushë”, ka thënë Abrashi.
Në anën tjetër, Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu ka falendëruar të gjithë të cilët kanë ndihmuar për realizimin e këtij projekti dhe ka kërkuar nga nxënësit që të kujdesen dhe ta mirëmbajnë këtë hapsirë.
“Kjo hapsirë mund të përdoret edhe nga shkollat tjera për realizimin e turnireve të ndryshme që organizojnë. Puna më e madhe ju mbetet juve që ta mirëmbani këtë hapsirë”, ka shtuar Veliu.
Projekti është implementuar nga Organizata Ndërkombëtare për Migërim në bashkëpunim me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale në kuadër të programit të BE-së për Kosova e Bukur II./Llapi.info