Vajzat e mitura janë viktimat më të shpeshta të ngacmimeve, sulmeve e dhunës seksuale në vendin tonë, dukuri kjo që ka marrë përmasa shqetësuese. Raste të tilla shpesh zgjasin për vite me radhë, por nuk denoncohen si pasojë e kërcënimeve e shantazheve. Të dyshuarit shpesh dalin të jenë edhe persona të afërm të viktimave me të cilët kanë krijuar lidhje dashurie, raporton Gazeta Sinjali.
Për një rast të tillë që po dyshohet se ka ndodhur për rreth 3 vite në kryeqytet, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka nisur hetimet ndaj një 34-vjeçari, por i cili është lënë i lirë, përkundër që dyshohet për veprat penale “Dhunimi” dhe “Shtrëngimi”.
Rrëfimi i të miturës që aktivizoi Policinë – Kur dhe si ndodhi rasti?
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se viktima e ka denoncuar rastin në fillim të këtij muaji, kur vendosi të njoftojë Policinë për lidhjen e dashurisë që kishte pasur me 34-vjeçari, për të cilin pretendon se e dhunoi.
Gjithçka dyshohet se kishte nisur në vitin 2018, derisa viktima ishte në moshë të mitur dhe nisi një lidhje dashurie me të dyshuarin, e cila zgjati deri në vitin 2021. Ndonëse ditët e para ishin të bukura për çiftin, gjërat ndryshuan, kur i dyshuari filloi t’i kërkonte të kryenin marrëdhënie seksuale.
Bazuar në dëshminë e vajzës të dhënë në Polici, ish i dashuri i saj e kishte detyruar që të bënin seks, duke e kërcënuar me publikimin e pamjeve të ndryshme intime. Gjatë kësaj kohe, i dyshuari e kishte shtrënguar vajzën në vazhdimësi dhe pa dëshirën e saj kanë kryer marrëdhënie seksuale.
Një vit pasi dyshohet se përfundoi kjo “lidhje dashurie” me dhunë, vajza që tashmë ka kaluar moshën e mitur vendosi të raportojë rastin në Polici, ku rrëfeu në detaje çdo gjë.
Denoncimi i saj aktivizoi Policinë për të nisur hetimet që zbardhin rrethanat e rastit dhe sigurimin e prezencës së personit të dyshuar. Të njëjtat burime thonë se i dyshuari është intervistuar tashmë, dhe po ashtu disa dëshmitarë që kanë dhënë versionet e tyre mbi ngjarjen.
Pas përfundimit të këtyre procedurave, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që rasti të iniciohet për veprat penale “Dhunimi” dhe “Shtrëngimi” dhe ka vendosur që të dyshuarin ta lë të lirë.