Me kritika të ashpëra është përcjellur sot seanca e jashtëzakonshme në Kuvendin Komunal të Podujevës, seancë kjo e thirrur nga Lëvizja Vetëvendosje e përkrahur nga subjektet tjera opozitare.

Shkolla e Halabakut ishte tema kyçe për çka ishte thirrur sot kjo seancë. Por, zyrtarët opozitarë një rëndësi të veçantë i kanë kushtuar punësimeve politike dhe familjare në Komunën e Podujevës, ku gjatë seancës ata kanë përmendur disa raste të tilla, për të cilët ata kanë thënë se kanë edhe emra të cilët janë të gatshëm t’i publikojnë.

Por, dy orë sa edhe ka zgjatur kjo seancë, kanë qenë të pamjaftueshme për arritjen e pajtimit në mes të pozitës dhe opozitës për zgjidhjen e këtyre problemeve, përderisa e tërë seanca është shoqëruar me replika në mes të asambleistëve.

Nuk kanë mbetur pa u përmendur edhe problemet tjera me të cilat ka filluar viti i ri shkollor në këtë komunë, siç është problemi i furnizimit me libra dhe problemi i sistemimit të nxënësve në shkolla të mesme ku shumë nxënës të shkëlqyer kanë mbetur pa u regjistruar, probleme të cila kërkojnë zgjidhje të menjëherëshme.

Llapi.info në videot e mëposhtme ju sjell rrjedhën e seancës së sotme./Llapi.info