Disa mësimdhënës të Shkollës Fillore dhe të Mesme të Ulët “Xheladin Rekaliu” tashmë kanë filluar të këshillojnë nxënësit që librat të cilat nuk u janë shpërndarë, t’i blejnë.

Ndonëse brenda shkollës kanë thënë se nuk janë të informuar lidhur me këtë rast, në prezencën e tyre dy nga këta mësimdhënës e kanë pranuar se u kanë thënë nxënësve të blejnë librat, sepse ato u nevojiten në orët mësimore, në të cilat është vështirë t’ia dalësh pa libra.

Edukatë Shoqërore është një nga librat të cilat u janë kërkuar nxënësve të klasëve të dyta të blejnë, pasiqë sipas një mësimdhënësi në këtë shkollë tash e dy vite nga Ministria e Arsimit nuk shpërndahet kjo libër.

Disa nga nxënësit e klasëve të para në këtë shkollë ju është dashur të blejnë abetaren, pasiqë nuk ka pasur libra të mjaftueshme të këtij lloji për këta nxënës, të cilët të emocionuar kanë pritur fillimin e vitit të ri shkollor.

Ata këtë gjendje e kanë arsyetuar duke thënë se nuk kanë pasur informacione se a do të sjellin librat të cilat mungojnë nxënësve, prandaj edhe u kanë thënë atyre t’i blejnë ato.

Një nga prindërit e këtyre fëmijve në kushte anonimiteti ka thënë për Llapi.info se nuk ka kuptim që diçka që është falas të blihet, siç është rasti i këtyre librave. Ndërsa, disa nga nxënësit kanë thënë se nuk kanë mundur të gjejnë disa nga këto libra për t’i blerë, sepse ato nuk gjenden në treg. Madje ka thënë se disa nga librat që u janë japur, fletoret pune kanë qenë të plotësuara dhe ato nuk mund të shfrytëzohen.

Mat

Një gjendje më ndryshe se kjo kemi në Shkollën Fillore “Shaban Shala” në qytet, ku Drejtori i kësaj shkolle, Skender Gashi, për Llapi.info ka pranuar se ndonëse ka mungesë të disa librave, ata po bëjnë përpjekje që edhe me librat nga vitet e kaluara ta mbushin këtë zbrastirë.

“Rreth 80% e nxënësve janë furnizuar me libra, ndërsa për 20 % tjetër që kanë mbetur pa to, po bëjmë përpjekje për t’i siguruar, ku kanë dërguar titujt të cilët u mungojnë në Drejtorinë e Arsimit, dhe jemi duke pritur përgjigjje nga ta” ka thënë Gashi.

Gashi më tej ka thënë se shpresojnë se brenda një jave do të kompletohen të gjitha tekstet për këta nxënës.

I pyetur se a ka pasur ankesa nga prindërit apo nga mësuesit për mungesë të këtyre librave, drejtori ka thënë se kanë arritur bashkëpunim si me prindër ashtu edhe me mësues që të presim, sepse nga Drejtoria e Arsimit u kanë thënë se do të vinë librat.

Si ndihmë në këtë shkollë u kanë shërbyer edhe tekstet shkollore që kanë qenë nga vitet e kaluara, ku përgjegjësit e kësaj shkolle i kanë ruajtur ato libra dhe këtë vit i kanë shpërndarë ato për nxënësit, jo vetëm të shkollës së tyre, por edhe të shkollave tjera, të cilat kanë hasur në të njëjtin problem.

Librat

Drejtori po ashtu ka treguar se shkolla ka lëshuar vendim që të gjithë nxënësit në fillim të vitit të ri shkollor të kthejnë librat e viteve paraprake, nëse ato janë në gjendje të mirë.

 

Njoftimi

Llapi.info ka qenë ka provuar të marr një prononcim nga Drejtori i Arsimit në Podujevë, Avni Maloku, por ai nuk ka qenë në vendin e punës, ndërsa kur e kemi kontaktuar na ka thënë të presim sepse është në një takim zyrtar. Gazetarja e Llapi.info ka pritur një orë por ndonëse Drejtori kishte thënë se do të kthehet, një gjë e tillë nuk ka ndodhur, ndërsa në telefon nuk kemi arritur ta kontaktojmë./Llapi.info