Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, e ka mbështetur propozimin e ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, për faljen e 100 eurove të para të tatimit në pronë.
Në një postim në Facebook, Bulliqi ka thënë se ky propozim do të paraqitet qysh në mbledhjen e parë të Komitetit për Politikë dhe Financa.
“E mbështes plotësisht propozimin e ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, që përmes ligjit në Kuvend, të bëhet falja e tatimit në pronë në vlerën deri në 100 euro për të gjithë tatimpaguesit.
Andaj qysh në mbledhjen e radhës së Komitetit për Politikë dhe Financa të Komunës së Podujevës, e cila do të mbahet të hënën do ta propozoj si pikë shtesë për t’i rekomanduar Kuvendit Komunal shqyrtimin dhe miratimin e këtij propozimi për në seancën e 31 janarit”, ka shkruar Shpejtim Bulliqi.