Shteti ka vendosur që sërish ta rikthejë kontrollin mbi çmimin e naftës. Sipas Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ky vendim vjen meqë janë evidentuar mospërshtatje të çmimeve vendore me lëvizjet e mëdha të çmimeve në tregun botëror. Naftëtarët janë mbledhur dje urgjentisht për të diskutuar për këtë vendim dhe situata duket se ka qenë shumë e tensionuar. Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve ka treguar për Express se u propozua edhe mbyllja e pompave dhe protesta para objektit të Qeverisë. Në fund, kanë dalë me një vendim tjetër.
Çmimet e derivatave në vend do të caktohen sërish me “tavan”, që do të përcaktohet nga vendosë Ministria e Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Industrisë. Vendimin e ka marrë Ministrja Rozeta Hajdari, me arsyetimin se janë evidentuar mospërshtatje të çmimeve vendore me lëvizjet e mëdha të çmimeve në tregun botëror.
“Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, nga monitorimi i rregullt i tregut të produkteve të naftës dhe bazuar në evidencën ditore të pranuar nga Dogana e Kosovës lidhur me çmimet e furnizimit/importit të produkteve të naftës si dhe raportin e Inspektoratit të Tregut lidhur me çmimet e shitjes me pakicë të produkteve të naftës, ka evidentuar mospërshtatje të çmimeve vendore me lëvizjet e mëdha të çmimeve në tregun botëror, çka përbën bazë/shkas për rregullimin e çmimeve dhe caktimin e masave të tjera mbrojtëse”, thuhet në vendim.
Sipas këtij vendimi, marzha tregtare maksimale e lejuar e shitjes me shumicë është dy eurocentë për litër, kurse marzha tregtare maksimale e lejuar e shitjes me pakicë është dymbëdhjetë eurocentë për litër.
“Llogaritja e marzhës tregtare maksimale e lejuar për shitje me shumicë dhe pakicë bëhet sipas nenit 4 paragrafi 1.1 dhe 1.2. të U/A Nr. 03/2022 Për Rregullimin e Çmimeve të Produkteve të Naftës dhe Karburanteve të Ripërtrishme dhe Masat e Tjera Mbrojtëse”, ka njoftuar Ministria.
Në faqen e Ministrisë thuhet se vendimi është marrë nga ana e Ministres me qëllim mbrojtjen e konsumatorit, konkurrencës dhe për të mënjanuar çrregullimet në treg.
Vendimi nuk është publikuar ende në Gazetën Zyrtare, por që do të hyjë në fuqi një ditë pasi të publikohet dhe do të jetë në fuqi për 30 ditë.
Pas vendimit të Hajdarit, Shoqata e Naftëtarëve thirri dje mbledhje urgjente. Detaje nga diskutimet dhe situata e tensionuar që e shoqëroi këtë mbledhje, ka dhënë për Gazetën Express kreu i kësaj shoqate, Fadil Berjani.
Sipas tij, aty kishte “kërkesa ekstreme”. Thotë se naftëtarët propozuan që të mbyllen pikat e karburantit dhe të protestohet me autobota para Qeverisë, por që në fund u mor një vendim tjetër.
“Në Kuvendin e Shoqatës, situate ka qenë tepër e tensionuar se kishte kërkesa ekstreme. U kërkua që të mbyllen pikat e karburantit apo të protestohet me autobota para Qeverisë. Po, këto kërkesa nuk u aprovuan, por kërkesa e cila është aprovuar është që t’i drejtohemi Gjykatës. S’ka protestë, s’ka mbyllje të pikave të karburantit dhe s’ka bllokadë para Qeverisë me autobota”, tha Berjani.
Pakënaqësitë për këtë vendim, Berjani thotë se ia ka shprehur edhe Ministres Hajdari.
“Në takim me Ministren Rozeta Hajdari, kërkova arsye pse është lëshuar ky vendim. Preteksti i këtij vendimi është se ka disa kompani që kanë abuzuar me çmime. Unë kërkova, se Kosova është treg i lirë dhe i hapur sipas Kushtetutës, Neni 10, se në qoftë se ka ndonjë kompani që abuzon me çmime, duhet të merret Agjencioni i Konkurrencës apo hetuesia dhe organet kompetente, e jo të pësojnë 650 pika karburanti”, ka deklaruar Berjani për Express.
Ndryshe, praktika për caktimin e tavanit të çmimeve ishte aplikuar fillimisht në fund të muajit qershor të vitit të kaluar, pasi çmimi i naftës kishte arritur në gati 2 euro.
Për çdo ditë, përgjatë një muaji, Ministria dilte me vendim ku përcaktonte çmimin maksimal për shitjen e derivateve./Express