Gazeta Sinjali ditë më parë raportoi për një ngjarje të rëndë që ka ndodhur në Fushë Kosovë ku një 30-vjeçar ka rënë nga lartësia e një objekti ku po punonte punë ndërtimore. I riu R.Rr., ishte dërguar me urgjencë në QKUK për shkak të lëndimeve të rënda që mori, mirëpo nuk ka mundur të ju bëjë ballë, shkruan Gazeta Sinjali.

Sinjali merr vesh nga burimet brenda Emergjencës se 30-vjeçari ka ndërruar jetë mëngjesin e sotëm në QKUK.

Ndryshe, pronari i kompanisë “Qlirimi”, Nazir Xhema kanë rënë në prangat e Policisë, si i dyshuar për këtë rast si dhe Rasim Voca pronari i kompanisë “Voca Dekor” përgjegjëse për skelet e vendosura në objektin ku u lëndua viktima.

Xhema dhe Voca të hetohen për veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”.

30-vjeçari ka rënë nga kati i dhjetë i objektit banesor ‘Model Slovenia’ që është në ndërtim e sipër dhe për pasojë ka marrë lëndime të rënda trupore.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore bashkë me Inspektoratin e Punës, ku kanë kryer të gjitha ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit.

Kujtojmë se muajve të fundit ka pasur disa raste tragjike të vdekjeve të punëtorëve si pasojë e lëndimeve në vendet e punës. Ndonëse këto raste janë në rritje, kompanitë vendore bëjnë shumë pak për përmirësimin e kushteve të punës.