Numri i rasteve të dhunës në familje në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese. Çdo ditë raportohen raste ku viktima zakonisht janë gratë dhe vajzat që përjetojnë dhunë psikike e fizike nga bashkëshortët e tyre. Në ngjarje të tilla jo rrallëherë janë përfshirë edhe çiftet e moshuara, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë dhe mjaft i rëndë ka ndodhur të hënën në mbrëmje, në fshatin Topliqan i Ri në Lipjan, ku një 85-vjeçar e ka rrahur brutalisht bashkëshorten e tij, e cila për pasojë përfundoi në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Burimet nga Emergjenca kanë bërë me dije se viktima është e moshës 84-vjeçare, e cila është sulmuar fizikisht nga burri i saj, i cili dyshohet t’i ketë shkaktuar lëndime të rënda, deri në atë pikë sa ia ka thyer brinjët.

Teksa gruaja po merr trajtim mjekësor në spital, i dyshuari është shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku ka dhënë deklaratën e tij për atë që ka ndodhur.

Pas përfundimit të procedurave policore, ndaj tij është iniciuar rasti si “Dhunë në familje”, ndërsa shumë shpejt pritet që edhe gruaja të jap versionin e saj për dhunën që ka përjetuar nga burri.