Policia e Kosovës në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prizren dhe me urdhër të Gjykatës kanë kryer bastisje dje në shtëpinë e një qytetari në rrugën ‘Bajram Curri’, i cili dyshohej për posedim të substancave narkotike, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali mëson ekskluzivisht se gjatë kontrollit të shtëpisë, njësitë policore kanë gjetur dhe sekuestruar mbi 3 kilogramë substancë narkotike të llojit marihuanë.
Droga është gjetur e ndarë në disa paketime në qese najloni dhe po ashtu aksioni ka rezultuar me sekuestrimin edhe të armëve të zjarrit, municionit, rreth 3 mijë euro para të gatshme dhe mjeteve tjera që përdoren për substance narkotike.
Lidhur me rastin është arrestuar një person i moshës 56-vjeçare dhe i njëjti është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Blerja, posedimi, shitja ose shpërndarja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’.
Sinjali do të iu mbajë të informuar me detajet e reja lidhur me rastin.