Zyrtarë të opozitës në Podujevë kanë ngritur dyshime për keqpërdorime me pronat komunale nga zyrtarët e Podujevës. Ata thonë se disa prona që shfrytëzohen prej pas luftës nga njerëzit e partisë në pushtet, janë fshehur nga komunarët duke mos i futur në listën e pronave komunale. Ndërkohë, zyrtarët komunalë thonë se çështjet që i ka ngritur opozita janë në procedura gjyqësore
Një restorant dhe një objekt poste janë bërë sebep i shumë kritikave që zyrtarët opozitar i kanë bërë komunarëve të Podujevës për fshehje të pronës komunale. Të parët kanë thënë se të dy këto prona komunale po shfrytëzohen jashtëligjshëm nga njerëz të partisë në pushtet dhe se komuna mundohet t’i tjetërsojë ato. Në anën tjetër, zyrtarët komunalë thonë se këto dy prona nuk figurojnë në listën e pronave komunale për shkak se për të dyja kanë nisur procedurat gjyqësore. Një gjë të tillë e konfirmon edhe kryetari i Gjykatës Themelore të Prishtinës, Hamdi Ibrahimi.
E tëra kishte nisur në një mbledhje të Kuvendit të Komunal, kur këshilltari i PDK-së, Flakron Gashi, ka folur për dallaveret me pronën komunale në Komunën e Podujevës. Gashi kishte thënë se ka raste ku qiramarrësit gjatë vitit 2014 s’i kanë paguar asnjë cent qira Komunës.
“Me qenë se jemi tek shqyrtimi i dhënies në shfrytëzim të pronave komunale, shtrohet pyetja se pronë e kujt është parcela në të cilin zhvillon biznesin restorant ‘Millenium 2000’ dhe pse kjo pronë nuk është e regjistruar në regjistrin e pronës komunale? Ne si qytetar të gjithë jemi në dijeni se prapa këtij biznese t’i cilin e shfrytëzon këtë pronë qëndron, Nuredin Ibishi-Leka, njëherësh deputet nga radhët e LDK-së. Kërkojmë nga komuna që të sqarohet kjo çështje”.
Uzurpatorët politikë
Edhe shefi i Grupit të këshilltarëve të të njëjtës parti, Rafet Llapashtica, thotë se prona ku ka qenë ish-posta në fshatin Lluzhan të Podujevës ka qenë i uzurpuar për 15 vjet nga drejtues të subjektit të LDK-së.
“Rreth kësaj çështjeje ka pasur reagime të vazhdueshme dhe me sa e di unë ka edhe vendim gjyqësor që të lirohet objekti, por Drejtoria, Inspektorati Komunal dhe kryetari nuk e kanë kryer punën e vet për shkak se ky individ është kryetar i LDK-së në nëndegën e fshatit Lluga”, ka thënë Rafet Llapashtica.
Sipas tij, për shkak të këtij uzurpimi ka mbetur pa u ndërtuar objekt i Zyrës së vendit në Lluzhan dhe se banorët e këtij fshati detyrohen të vijnë në Podujevë për marrjen e një dokumenti.
Për të parën ka folur vetë kryesuesi i Kuvendit Komunal, Mehmet Gashi. Ka thënë se Naim Ibishit (e jo Nuredin Ibishit) i ishte dhënë në shfrytëzim në kohën kur Komuna ishte udhëhequr nga administratori i UNMIK-ut.
“Ai (Naim Ibishi) e ka obligim që qiranë t’ia paguajë Komunës dhe Komuna duhet të inkasojë mjetet”, kishte thënë Mehmet Gashi.
Ndërkohë për pronën tjetër përgjigje nuk kishte dhënë askush, pasi drejtori për Pronë, Gjeodezi dhe Kadastër, Abaz Llgaliu, nuk ishte i pranishëm në këtë seancë. Por, ai i ka thënë gazetës se të dy pronat janë në procedurë gjyqësore.
“Në listën e pronave komunale të dhëna në shfrytëzim me qira janë të përfshira ato prona ku qiramarrësit kanë kontrata valide me Komunën, e jo edhe ata të cilëve u janë të shkëputura kontratat e qirasë dhe pronat komunale i mbajnë pa kontrata, siç është rasti me dy objektet e Komunës që i ke përmendur”, ka thënë Abaz Llugaliu. “Objekti hotelier ‘Mileniumi’ në Orllan është pronë e Komunës, shfrytëzuesi i tij nuk ka kontratë valide me Komunën dhe lënda ka kaluar në procedurë gjyqësore.
Objekti i ‘ish-Postës së Lluzhanit’, lënda për të qe një kohë që gjendet në Gjykatë dhe është në përfundim të procedurës gjyqësore”.
Drejtori për Pronë, Kadastër dhe Gjeodezi thotë se presin që së shpejti gjyqtari i procedurës përmbarimore i Gjykatës Themelore të Prishtinës – Dega në Podujevë, t’ua dorëzojë këtë objekt në posedim. Ky, sipas tij, është shkaku pse këto prona nuk gjenden në listën e lartcekur.
“Opozita le ta shfletojnë Ligjin Nr. 04/L-144 për dhënien në shfrytëzim dhe këmbimin e pronës së paluajtshme komunale, se a parashihet falja e pronës komunale?! (Prona komunale nuk mund të shitet as të falet, por mund të jepet në shfrytëzim me qira)”, ka theksuar Llugaliu.
Kërcënon pronari i “Mileniumit”
Edhe kryetari i Gjykatës Themelore të Prishtinës, Hamdi Ibrahimi thotë se të dy lëndët janë në procedurë gjyqësore. Rasti i ish-postës në Lluzhan, sipas tij, tashmë ka përfunduar.
“Çështja civile-përmbarimore mes Kreditorit Komuna e Podujevës dhe Debitorit Merita Çunaku, Propozim për Përmbarim, kontesti Lirimi dhe Dorëzimi i Objektit në Posedim. Lënda është pranuar 5.7.2013, dhe mban nr.CP.318/2013, në këtë çështje civile përmbarimore dokument përmbarues janë vendimi-aktgjykimi i formës së prerë të Gjykatës Komunale në Podujevë, me nr.C.nr.274/2004 dhe Gjykatës së Qarkut në Prishtinë me nr. Ac.nr.1126/2008”, ka theksuar Hamdi Ibrahimi. Sipas tij, gjykata ka lejuar përmbarimin me datë 16.7.2013 dhe me datë 14.9.2015 ka dalë në vendin e ngjarjes në prezencën e kreditorit dhe debitorit, dhe ka përfunduar procedurën përmbarimore me lirimin e objektit nga sendet –njerëzit dhe dorëzimin e çelësave kreditorit.
Ndërsa për rastin tjetër, kryetar i Gjykatës Themelore të Prishtinës, thotë se deri tash nuk është ndërmarrë asnjë veprim procedural.
“Çështja civile-juridike, ku paditës është Komuna e Podujevës, e ka paditur “Mileniumi 2000”, me pronar Naim Ibishi, kontesti pagesa e borxhit të qirasë. Lënda është pranuar në Gjykatë me datë 2204.2013, dhe mban numrin C.nr.169/2013, i ngarkuar me këtë lëndë është gjyqtari Bujar Muzaqi, meqë është lëndë e re deri me tani nuk është ndërmarr asnjë veprim procedural”, ka thënë Ibrahimi.
Gazeta nuk ka mundur të kontaktojë me Naim Ibishin, me të cilin Komuna e Podujevës është në kontest gjyqësor. Emri i është ndërruar pak edhe lokalit nga ‘Mileniumi 2000” në “Mileniumi i ri”. I ri duket se është edhe pronari i tij. Në numrin mobil të telefonit që gjendet edhe në internet bashkë me shumë fotografi të lokalit, lajmërohet Besnik Musa, i cili thotë se është pronari i lokalit. Kur i është thënë nëse është në dijeni që Komuna e Podujevës ka nisur procedurat gjyqësore për të njëjtin lokal, Musa ka kërkuar që të mos shkruhet asgjë për këtë. Bile edhe ka kërcënuar në rast se gazeta e bën një gjë të tillë.
“S’është punë e jotja a jena a s’jena a çka jena…Ti nuk guxon me shkru n’gazetë sen hiç. Shkrun n’gazetë tani e sheh kush je e kush jena…”, ka thënë ai.
Dyshimet për keqpërdorime
Opozita është duke ngritur dyshime për keqpërdorimin me pronat komunale nga zyrtarët komunalë të Podujevës. Shefi i Grupit të këshilltarëve të PDK-së, Rafet Llapashtica, thotë se të gjitha pronat publike të uzurpuara janë nga zyrtarë të subjektit në pushtet.
“Dhe ato as nuk tatohen, as nuk mblidhet qira për to. Njësoj është edhe me objektin në Lluzhan, ku Komuna e Podujevës dhe qeverisja e saj nga LDK nuk kanë inkasuar asnjë cent as nga qiraja e as nga tatimi.
Këshilltari komunal nga AAK-ja, Lutfi Rexhepi, ka kërkuar disa herë radhas listën e pronave komunale. Por deri tash ai nuk e ka marrë këtë.
“Kam kërkuar nga Drejtoria e Pronës që të na e deponojë listën e pronave të luajtshme dhe të paluajtshme të Komunës. Po dua ta ripërsëris këtë dhe e kisha thirrur drejtorin që për seancën e radhës, por nëse ka diçka që nuk duhet të tregohet, atëherë të mos na e bie, po nëse bën me ba publike e kisha kërkuar të na e sjell të gjithë këshilltarëve”, ka thënë Rexhepi gjatë një seance të mëhershme.
Ndërsa, këshilltari i PDK-së, Flakron Gashi, thotë se mënyra e menaxhimit dhe dhënies në shfrytëzim të pronave komunale lë hapësirë për të dyshuar në keqpërdorim të saj dhe shfrytëzim pa kritere ligjore.
“Komuna e Podujevës ose është e paaftë të menaxhojë këto prona, ose nuk ka njohuri mbi ekzistimin e këtyre paluajtshmërive si prona komunale, ose qasja eventuale e organeve përgjegjëse komunale ndaj këtyre pronave konform rregullave ligjore do të prekte apo cenonte interesat e individëve të afërt politikisht, familjarisht apo ndoshta edhe interesa monetare të ndërsjella me zyrtarët komunalë”, ka theksuar Flakron Gashi. “Duke u bazuar edhe në raportet e auditimit të nxjerra nga Auditori i Përgjithshëm për vitet 2011, 2012, 2013 e 2014, nxjerrin konkluzione dhe japin rekomandime për menaxhim të dobët të pronave komunale të dhëna në shfrytëzim. Komuna e Podujevës në mungesë të përfundimit të planit të detajuar rregullues urban konform dispozitave ligjore, shumicën e pronave të paluajtshme – objektet në qytet i ka dhënë në shfrytëzim të përkohshëm, ku edhe procedurat për dhënie në shfrytëzim janë më të thjeshta dhe, sipas ligjit nr.04/L-144 jepen përmes ankandit publik, formë kjo që Komuna e Podujevës ka dëshmuar se di të manipulojë”.
Këshilltari i PDK-së ka thënë se ka raste që pronat janë dhënë në shfrytëzim në kundërshtim me rregullat apo vendimet e dala nga komisionet, pastaj pronat komunale shfrytëzohen nga individ të caktuar për të cilat janë në dijeni edhe organet komunale, por çuditërisht sipas tij, ato prona as nuk janë të evidentuara në regjistrin e pronave të paluajtshme komunale.
“Në seancën e XVIII- (tetëmbëdhjetë) të Kuvendit Komunal, unë kam kërkuar në emër të PDK-së, nga drejtori Abaz LLugaliu që të përpilojë një listë të borxhlinjve (ata që shfrytëzojnë pronat komunale), për secilin veç e veç madje edhe historikun e pagesave. Komuna nuk ka strategji afatgjatë vepruese ose qëllimisht nuk e bënë atë dhe veçanërisht në raport me shfrytëzimin e pronave komunale duke ua dhënë në afate të shkurtra kohore me qëllim që këta individë t’i mbajë afër dhe kësisoj presionin politik ta freskojë ndërkohë”, ka theksuar Gashi.
Drejtori për Pronë, Kadastër dhe Gjeodezi, Abaz Llugaliu, ka thënë se këshilltari (Flakron Gashi) e ka drejtuar kërkesën në adresë të gabuar, sepse sipas tij, për këtë çështje duhet t’i drejtohet Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, shkruan sot KOHA Ditore.