Federata e Futbollit e Kosovës i ka dërguar telegram ngushëllimi familjes pas vdekjes së futbollistit të ri të “2 Korrikut”, Leon Syla
Futbollisti 15-vjeçar ka vdekur të mërkurën, ndërsa lajmi është bërë i ditur nga klubi i tij, transmeton Zeri.info.
Telegrami i ngushëllimit nga FFK-ja:
E nderuar familje Syla!
Të nderuar drejtues dhe staf i FC 2 Korriku!
Me pikëllim të madh e morëm lajmin për ndarjen e hershme nga jeta të më të dashurit tuaj, futbollistit të FC 2 Korriku, Leon Syla.
Nuk ka fjalë të mjaftueshme për të shprehur dhimbjen tonë për humbjen e një djaloshi të ri dhe të talentuar sikur Leoni.
Ikja e tij e hershme nga kjo botë preku zemrat e gjithsecilit në komunitetin e futbollit. Leoni ishte shembull i vërtetë luftaraku, jo vetëm në fushën e futbollit, por edhe në betejën e tij me sëmundjen e rëndë.
Sot të gjithë jemi me lot në sy dhe dhimbje në zemër, por shpresojmë që kujtimet e bukura dhe sukseset e Leonit do të jenë burim ngushëllimi dhe force për Ju për ta përballuar dhimbjen e madhe.
Në emër të Federatës së Futbollit të Kosovës dhe tërë komunitetit të futbollit ju dërgojmë ngushëllimet tona më të thella dhe të sinqerta për humbjen e më të dashurit tuaj.
I përjetshëm qoftë kujtimi për Leonin!
Me respekt,
KE i FFK-së