Në konkursin për mësimdhënës në Podujevë, Avni Maloku, Drejtori i Drejtorisë së Arsimit, ka pranuar kandidatë sipas udhëzimit administrativ të vitit 2009, pasi udhëzimi administrativ i vitit 2015 i Ministrisë së Arsimit për të është politik.

Në konkursin për mësimdhënës të shpallur më datën 25 korrik 2015, në Sh.F. “Nuhi Gashi” në Bradash ishte shpallur një vend i lirë për një arsimtar të historisë. Këtë vend, tani e ka fituar Mirsad Rashiti, i diplomuar në Fakultetin Filozofik – Dega Histori.

Sipas një burimi të portalit Llapi.info për këtë pozitë kishte konkuruar edhe Fatbardha Hoti, e diplomuar në Fakultetin e Edukimit – Programi: Histori dhe Edukatë Qytetare, e cila sipas udhëzimit administrativ Nr.6/2015 neni 5, pika 10, pragrafi 10, kishte përparësi karshi Mirsad Rashitit, i cili për kah e drejta sipas këtij udhëzimi ishte në rend të dytë.

Udhëzimi administrativ Nr.6/2015 neni 5, pika 10, pragrafi 10.1, thotë që përparësi ka kandidati i cili ka të mbaruar, Fakultetin e Edukimit – Programi: Histori – Edukatë Qytetare.

Por, për Drejtorin e Arsimit, Avni Malokun, nuk vlen udhëzimi administrativ i vitit 2015, pasi Mirsad Rashiti, është pranuar sipas udhëzimit administrativ të vitit 2009.

Mirsad Rashiti, ishte pranuar edhe vitin e kaluar dy muaj me vonesë. Se a ka pasur konkurs apo jo kur është pranuar atëherë një e tillë ende nuk dihet.

“Mirsadi është marrë vitin e kaluar përkohësisht. Nuk e di a me konkurs a pa konkurs se nuk kam qenë drejtor, por njeri është me 4-vjeçar dhe ka diplomuar qe nja 10 vjet. Na i kem udhëzimet e viteve të kaluara. Me udhëzim të vitit 2009, ky është dashur të jetë në punë”, ka thënë Maloku për llapi.info.

Por, pasi Mirsad Rashiti është pranuar me vonesë vitin e kaluar, atij nuk i është ofruar kontratë shumëvjeçare.

“Nuk ka pas kontratë shumëvjeçare, se këta që pranohen e i plotësojnë të gjitha kushtet ligjore nuk ju lëshojmë kontratë njëvjeçare, por deri në licencë. Tash ky pasi është pranu 3 – 4 muaj me vonesë, ligjërisht drejtori i shkollës nuk i ka ofru atij kontratë shumëvjeçare”, ka shtuar Maloku.

Ai madje ka përmendur faktin që Mirsad Rashitin ka mundur ta pranoj edhe pa konkurs.

“Tash une kisha mujt me i ik konkursit se kam pas elemente për me i ik, por kam dashur me ba legjitim qat djal”, ka thënë Maloku.

Se pse nuk ka pranuar kandidatë sipas udhëzimit administrativ të vitit 2015, Maloku ka thënë se udhëzimi administrativ i vitit 2015 del të jetë politik.

“Unë po të them ty haptas që kjo del politikë, sepse sipas qiti udhëzimi ne të gjitha fakultetet tjera duhet me i mshel se kemi të përgaditur vetëm Fakultetin e Edukimit edhe krejt tjerët po i mshelum, s’na vyjn ma. Qiky udhëzim për momentin del politik se ligjërisht ai nuk e ka mendu hiç. Për sot e këndej po. Por, ajo çka ka ndodh dje e pardje jo”, ka thënë Maloku.

Lidhur me Mirsad Rashitin kishte informata që është pranuar për pa e pasur emrin tek lista e kandidatëve për intervistim. Por, një gjë të tillë e ka demantuar Maloku duke e argumentuar me fakte. Ndërsa, se pse emri i
Mirsad Rashtit tek lista e të pranuarëve është Mirsada Rashiti, Maloku ka thënë se është gabim teknik dhe nuk është bërë për qëllime ç’orientimi.

Lista
Llapi.info ka provuar të kontaktoj me disa nga zyrtarët në Ministrinë e Arsimit, për të kuptuar nëse Maloku ka bërë shkelje kur ka pranuar kandidatë sipas udhëzimit administrativ të vitit 2009, por asnjëri nga ta nuk u janë
përgjigjur telefonatave.

Madje, llapi.info i ka dërguar një e-mail Anila Statovcit-Demaj, zëvendësministre në MASHT, por ajo nuk ka kthyer përgjigje./Llapi.info