Trajneri i Llapit, Tahir Batatina ka theksuar se barazimi 1:1 me Dukagjinin është hap prapa për objektivin për të siguruar daljen në Evropë.

“Mendoj se nuk është dashur të barazojmë, por të fitojmë tri pikë. Pranuam një gol që nuk është dashur të pranohet. Bëmë maksimumin për të barazuar dhe barazuam. Në pjesën e dytë kishim shumë raste por nuk konkretizuam. Kjo po na kushton me pikë. Ndeshje e vështirë, dy skuadra me botëkuptime të ndryshme. Por i humbëm dy pikë”, ka thënë Batatina.

“Ky barazim është hap prapa, duhet të jemi realist. Por do të bëjmë maksimumin në ndeshjet deri në fund. Është dashur të bëjmë më shumë, por ndoshta po na mungon efikasitet në fazën e sulmit. Po krijojmë shumë raste, por konkretizimi nuk është në nivelin e duhur. Si trajner e kam të vështirë të ndryshojë filozofinë e lojës. Ne luajmë me aksione të rrjedhshme për të ardhur deri te finalizimi. Do të bëjmë maksimumin dhe do të mundohemi të përshtatim lojën varësisht kundërshtarit”, ka shtuar trajneri llapjan.