Me pako ushqimore dhe mjete financiare janë ndihmuar 31 familje në nevojë të Komunës së Podujevës. Këto familje u ndihmuan me rastin e Festës së Kurban Bajramit. Lajmin për ndihmat e dhuruara për këto familje e ka bërë të ditur Zyra për Informim në Komunën e Podujevës.
Siç njofton Zyra për Informim në Podujevë, Drejtoria për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale (DSHMS) në Komunën e Podujevës, në bashkëpunim me donatorë, bashkatdhetarë nga Gjermania, ka dhuruar mjete financiare në vlerë 1,500 euro për gjashtë familje në nevojë nga komuna e Podujevës, të cilat janë përzgjedhur në bashkëpunim mes DSHMS dhe donatorëve.
Për nder të kësa feste janë ndihmuar gjithësej 31 familje, prej tyre 6 me mjete financiare, kurse 25 familje me pako ushqimore, në vlerë 32 euro. 20 pako ushqimore janë dhuruar nga Nexhmi Hoti (Restaurant ORA), ndërsa 5 pako të tjera nga donatorë të tjerë.
Përfaqësuesi i bashkatdhetarëve, Tefik Jaha nga fshati Balloc i Podujevës, tha se këto mjete janë grumbulluar gjatë turneut tradicional humanitar “Dingolfing – Landau nga Bavaria e Gjermanisë, i cili për çdo vit mbështet nga dhjetë familje nga komuna të ndryshme të Kosovës, ndërsa këtë vit kishin përzgjedhur Podujevën.
Drejtori i DSHMS në Podujevë, Agron Hyseni falënderoi donatorët që po ndihmojnë për t’u dalë në ndihmë familjeve nevojtare në prag të festës së Kurban Bajramit./Llapi.info