Trajneri Tahir Batatina ka vlerësuar se Llapi ka pasur edicion të dështuar në Superligën e Kosovës në futboll.

Ai pas barazimit me Gjilanin ka thënë se zëvendësuesit e Kastriot Selmanit dhe Valmir Veliut nuk kanë qenë në të njëjtin nivel.

“Mund të them lirisht se është dështim i skuadrës për këtë kampionat dhe humbja e Evropës pasi skuadrat e kreut të tabelës kanë bërë shumë gabime. Mendoj se lojtarët e rinj që kanë ardhur në skuadër dhe ata që nuk janë pjesë e Llapit, nuk kanë qenë adekuat dhe të nivelit të lartë. Nuk kanë arritur që t’i zëvendësojnë Valmir Veliun dhe Kastriot Selmanin. Kemi pasur problem me sulmin, dhe mendoj se kjo ka qenë pika më e dobët e Llapit në këtë kampionat. Por më gëzon fakti se lojtarë të rinj të Llapit po dalin në pah dhe do të vazhdojmë t’u japim hapësira të rinjve”, deklaroi Batatina.

Llapi barazoi 2:2 ndaj Gjilanit në ndeshjen e parafundit të Superligës.

Me këtë barazim, Llapi ka 43 pikë dhe gjendet në pozitën e shtatë në tabelë duke siguruar mbijetesen, kurse Gjilani ka 53 sosh në vendin e tretë.

Në xhiron tjetër, Llapi i shkon Malishevës, kurse Gjilani pret Ballkanin.

 

 

 

 

/llapi.info/