Trajtimi i ujërave të zeza në Liqenin e Batllavës, furnizimi me ujë të pijshëm për banorët, trajtimi i mbeturinave dhe bashkëpunimi në fushën e bujqësisë kanë qenë disa nga temat të cilat janë trajtuar në takimin e mbajtur sot në mes të Kryetarit të Komunës së Podujevës, Agim Veliu, dhe Ambasadorit të Hungarisë në Kosovë, Laszlo Markusz.

Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, ka thënë se qëllimi i kësaj vizite ka qenë që të vendosen kontakte bashkëpunimi përmes Ambasadës së Hungarisë me kompani që janë të interesuar të investojnë në këtë komunë.

“Janë të interesuar për gjendjen përrreth Liqenit të Batllavës, përkatësisht rreth punëve që ka bërë Komuna dhe Qeveria për furnizimin me ujë të pijshëm për banorë dhe trajtimin e ujërave të zeza, duke pasur parasysh se në këtë liqen gjendja është jo e këndshme” ka thënë Veliu.

Veliu më tej ka thënë se përmes Ambasadës mund të vendosen kontakte me kompani të specializuara, të cilat merren me këto veprimtari, ku është interes i ndërsjelltë që të shqyrtohen mundësitë e bashkëpunimit për projektim apo edhe ekzektim të punimeve.

Duke pasur parasysh shtrirjen e gjerë të Bujqësisë në këtë komunë, kjo temë nuk ka mbetur pa u diskutuar. Në takim, ku ishin të pranishëm edhe Nënkryetari z. Nexhmi Rudari dhe drejtori i Inspeksionit z. Hamdi Jaha, kryetari Veliu e informoi ambasadorin Markusz edhe me mundësitë që ofron rajoni i Llapit për zhvillimin e bujqësisë.

Ambasadori i Hungarisë në Kosovë, Laszlo Markusz i ka quajtur ‘biseda fillestare’, ato për të cilat është folur, sepse shpreson se së shpejti do të vijë në vizitë me biznese të ndryshme nga Hungaria.

“Kam ardhur para gjashtë muajve në Kosovë që të përforcoj lidhjet në mes të Hungarisë dhe Kosovës, në sfera të ndryshme, si ekonomia” ka thënë Markusz./Llapi.info